Botë
India lëshon satelitin në Mars
24.09.2014 17:06
India ka vendosur me sukses satelitin e saj në orbitën përreth Marsit, duke u bërë vendi i katërt që bën diçka të tillë...

Sateliti “Mangalyaan”, do të studiojë atmosferën përreth Planetit të Kuq.
Me këtë veprim, India hyn në klubin elitë të eksploruesve të Marsit, i cili përfshin Shtetet e Bashkuara, Agjencinë Evropiane të Hapësirës dhe ish-Bashkimin Sovjetik.
Djegia 24 minutëshe e motorit ngadalësoi sondën në zbritje, mjaftueshëm për ta lejuar atë të kapej nga graviteti i Marsit. Kryeministri indian, Narendra Modi, tha se vendi kishte arritur “pranë të pamundurës”.
“Historia është krijuar sot, përpjekjet e vështira dhe puna e palodhshme e shkencëtarëve na ka ndihmuar për të pasur sukses dhe për të arritur “pranë të pamundurës”. Parashikimet ishin tërësisht kundër nesh. Nga 51 përpjekjet për misione të bëra në botë, vetëm 21 kanë pasur sukses. Ne ia dolëm mbanë”- deklaroi kryeministri i Indisë, Narendra Modi.
Vetëm SHBA, Evropa dhe Rusia kanë dërguar në të kaluarën misione në Mars, por India është i pari vend që ia del mbanë që në përpjekjen e parë. Sateliti i fundit amerikan “Maven”, mbërriti në Mars ditën e hënë. . India është krenare që këtë mision e ka zhvilluar me teknologjinë e brendshme dhe me një çmim prej 75 milionë dollarësh.
FARIJE DAUTI-BAKIU
