Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, subjektet politike me qëndrime të ndara
Partitë politike mbeten të ndara me qëndrimet e tyre....

Partitë politike mbeten të ndara me qëndrimet e tyre lidhur me propozim ndryshimet për Kodin Zgjedhor. Kryeministri, Zoran Zaev, beson se ndryshimi i modelit zgjedhor me një njësi zgjedhore forcon demokracinë në vend dhe mënjanohen mundësinë për çfarëdo sjellje autoritare në të ardhmen.
Për amendamentet e dorëzuara thotë se kanë për qëllim bllokimin e ndryshimeve, teksa thotë se LSDM-ja do të shqyrtojë koalicionin me BDI-në, pas dorëzimit të mbi 5 mijë amendamenteve.
“Nëse BDI-ja e din se VMRO-DPMNE-ja ka dorëzuar 9 mijë amendamente dhe ata dorëzojnë 5 mijë amendamente dhe janë partnerët tanë në qeveri… Unë mundem ta kuptoj se nga prezantimet tona shihet se sa fiton BDI-ja, sa fitojnë shqiptarët në përgjithësi në shtet dhe prapë i dorëzojnë ato, më thoni ju mua çfarë të mendoj? Çfarë të mendojë populli? Sa është koalicioni i qëndrueshëm ose jo? Vërtetë kjo është një arsye serioze për shqyrtim serioz që do të hapet në LSDM. Edhe një herë të potencoj se partitë e mëdha humbin, fillimisht LSDM më pas edhe VMRO-DPMNE, por fiton shteti. Pastaj fitojnë të gjitha partitë, ato shqiptare, turke, rome,vllehe, boshnjake, serbe dhe të gjitha partitë e vogla, fiton demokracia. Largojmë mundësinë për çfarëdo sjellje autoritare në shtet dhe do të ketë demokraci të forcuar në kuvend. 9 mijë amendamente nga ana e VMRO-DMNE-së kanë për qëllim bllokimin e procesit dhe frikë se do të ketë shumicë për ta miratuar modelin e ri zgjedhor.”,- deklaroi kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev.
Edhe Aleanca për Shqiptarët ka kritikuar BDI-në dhe VMRO-DPMNE-në për amendamentet e propozuara.
“5000 amendamentet e dorëzuara nuk janë asgjë më shumë se 5000 arsye për bllokim të debatit parlamentar për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Nga ana tjetër qëndrimet e përafërta dhe bashkëdorëzimi i amendamenteve me VMRO-DPMNE-në është një tregues i qartë për bashkëpunimet e tyre të ardhshme për bllokimin e proceseve që sjellin ndryshim në të mirë të përgjithshme, por sigurisht në dëm të tyrin personal!”,- thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Nga VMRO-DPMNE nuk duan ndryshime para zgjedhjeve parlamentare.
“Absolutisht jemi të hapur që të ulemi me të gjithë subjektet politike relevante, të bisedojmë dhe të gjejmë mënyrën se në cilin drejtim duhet të lëvizin këto ndryshime, por pas përfundimit të zgjedhjeve të 12 prillit. Tani në këtë moment mendojmë se është tërësisht jashtë të gjitha normave logjike dhe jashtë praktikave në botën e zhvilluar demokratike, ta bëjnë këtë.”,- u shpreh Igor Janushev nga VMRO-DPMNE.
Nga Lëvizja “Besa” thonë se preferojnë tre njësi zgjedhore dhe lista të hapura, por për këtë nuk shohin vullnet as te LSDM-ja dhe as te BDI-ja, por as te VMRO-DPMNE-ja.
“Ajo që ne e vlerësojmë shumë të rëndësishme është që listat të jenë të hapura, për shkak se vlerësojmë se është koha, momenti që ta demokratizojmë shoqërinë, ta bëjmë përfaqësimin politik në Kuvendin Republikan më cilësor dhe me këtë të japim një imput në proceset demokratike të vendit. Mirëpo ajo që ne e shohim dhe vlerësojmë është se edhe nga partitë në pushtet, LSDM dhe BDI, por edhe nga opozita maqedonase, VMRO, nuk ka vullnet për një koncept të tillë, veçanërisht jo për lista të hapura.”,- deklaroi Fadil Zendeli nga Lëvizja “Besa”.
Ndërkohë, iniciuesit e propozimit për një njësi zgjedhore dhe lista të hapura të kandidatëve për këshilltarë komunash kërkojnë që amendamentet të tërhiqen.
“U drejtohemi publikisht kolegëve të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së të pranojnë bisedime të të gjithëve me të gjithë dhe bashkërisht nëpërmjet një debati të argumentuar pa bllokime të arrijmë deri te zgjidhja e përbashkët në interes të demokracisë dhe qytetarët e Maqedonisë.”,- theksoi Liljana Popovska nga Ripërtëritja Demokratike e Maqedonisë.
Për propozim ndryshimet e Kodit Zgjedhor, BDI dhe VMRO-DPMNE kanë dorëzuar mbi 6 mijë amendamente. (Naim Ramadani, TVM2)
