Autoritetet: Gazsjellësi magjistral të përfundojë deri në fund të vitit 2020
Ndërtimi i rrjetit të gazifikimit po zhvillohet sipas dinamikës....

Ndërtimi i rrjetit të gazifikimit po zhvillohet sipas dinamikës dhe pritet që gazsjellësi magjistral të përfundojë deri në fund të vitit 2020, theksoi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski, i cili së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshin, dhe drejtorin e Resurseve Energjetike të Maqedonisë, Bajram Rexhepin, inspektuan punimet në teren të gazsjellësit Shkup-Tetovë.
“Gazifikimi do të sjell benefit për komunat dhe qytetarët. Kemi realizim të shkëlqyer teknik dhe financiar në pjesën e investimeve kapitale dhe presim që duke përfshirë edhe muajin nëntor të kemi 90% të realizimit.”,- u shpreh ministri i Transportit, Goran Sugarevki.
“Qëllimi është që në fillim të vitit të ardhshëm të fillojë procedura për ndërtimin e rrjeteve të distribucionit në qytetet ku kalon sistemi nacional i gazifikimit dhe qeveria është e përcaktuar që ajo të bëhet me partneritet publiko-privat, duke e pasur parasysh edhe kapacitetin e komunave, por njëkohësisht edhe likuiditetin e komunave.”,- tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Drejtori i Resurseve Energjetike, Bajram Rexhepi, vlerëson se vitin e ardhshëm i gjithë rajoni i Pollogut do të furnizohet me gaz natyror, ku deri më tani është realizuar 60% i aksit Shkup – Tetovë – Gostivar.
“Në fund të vitit të ardhshëm ne do të përfundojmë të gjithë procedurën për të vënë në funksion këtë gazsjellës dhe gjithsesi nga fundi i vitit të ardhshëm do të mund të furnizojmë të gjithë rajonin e Pollogut me gaz natyror.”,- theksoi drejtori i Resurseve Energjetike, Bajram Rexhepi.
Kryetarja e komunës së Tetovës thotë se gazifikimi do të ndikojë edhe në uljen e ndotjes së ajrit në rajonin e Pollogut.
“Gazi, i cili është i nevojshëm për qytetarët, është në ardhje e sipër dhe shumë afër komunës së Tetovës. Për ne dhe qytetet tona është një vlerë e veçantë për ekonomitë familjare, por edhe për mundësinë e uljes së niveleve të ndotjes.”,- tha kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
Gazsjellësi Shkup-Tetovë-Gostivar ka gjatësi prej 86 kilometra, ndërsa vlera e investimit është 29 milion euro. Pjesë përbërë e ndërtimit të këtij gazsjellësi janë edhe 6 bllok stacionet për Tetovë dhe Gostivar. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
