Maqedoni

Zgjedhjet e 12 prillit, Jashari: Vlimet e brendshme, s’do prodhojnë datë të re, çdo shtyerje sjell impakte negative

14.12.2019 14:40

Vlimet e brendshme politike dhe çështja e anëtarësimit të plotë të vendit në NATO...

Vlimet e brendshme politike dhe çështja e anëtarësimit të plotë të vendit në NATO, s’do prodhojnë datë të re të zgjedhjeve parlamentare.
 
Profesori universitar Hasan Jashari thotë se gjasat për shtyerje janë minimale pasiqë deri në prill Maqedonia e Veriut ka kohë të mjaftueshme që nëpërmjet mekanizmave lehtësues të përmbyll gjitha proceset drejt Aleancës dhe të mbajë zgjedhjet.
 
“Nuk ka gjasa të mëdhaja që të ketë probleme meqenëse NATO-ja mund të gjen zgjidhje alternative apo të ketë forma me të cilat do të tejkalojë ngërçin e vet, kurse nga ana tjetër edhe këtu në Maqedoni, parlamenti edhe partitë politike do ti rendisin gjërat ashtuqë edhe pse do të ketë vonesa në planet e tyre të punës, përsëri që zgjedhjet të mbahen në muajin prill sepse kemi të bëjmë me një periudhë prej tash ndoshta afër katër mujore që ka mundësi që çdo gjë të vijë në vendin e vet”, u shpreh profesori universitar Hasan Jashari.
 
Sipas Jasharit, duhet kuptuar se shtyerja e zgjedhjeve shkakton efekte negative në shtet në më shumë aspekte duke u nisur nga funksionimi I institucioneve por edhe zhvillimi i ekonomisë.
 
“Ky është një proces jashtzakonisht i vështirë dhe i ndërlikuar që mund të ketë impaktet e veta, të drejtpërdrejta në rrjedhat ekonomike, në rrjedhat politike, në marrëdhëniet e Maqedonisë me jashtë, gjë që njëfarë forme krijon një ringjitje të gjërave dhe kjo harxhon një energji të madhe politike, por ka edhe prodhimet e veta negative  në vet zhvillimin ekonomik, në vet funksionimin e institucioneve dhe kapacitetin e tyre demokratik”, theksoi Jashari.
 
Pretendimet e Aleancës për Shqiptarët se 12 prilli do të mbledh diasporën shqiptare për të votuar, sipas Jasharit është diskutabile.
 
Sipas tij asnjë parti politike nuk mund në mënyrë të qëndrueshme të llogarisë në diasporën, e cila konsiderohet si një ndihmesë por jo edhe faktor kyç që mund të shtyejë një parti përpara.
 
MERAL ISMAILI