Maqedoni

Integrimet, pozita kërkon kthimin e opozitës në kuvend

24.09.2014 18:27

Maqedonia shënon ngecje edhe në harmonizimin e së drejtës vendore me atë evropiane...

Ngecja i referohet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe zgjedhjeve në BE.
 
Nga janari deri në shtator janë harmonizuar vetëm 14 ligje nga 43 ligje të parapara dhe 54 akte nënligjore nga 97 të planifikuara. Vendi qëndron edhe më keq me plotësimin e kritereve politike, pas zgjedhjeve parlamentare dhe incidentit në kuvend.
 
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme në vend që të funksionojë dialogu politik. Me fjalë të tjera edhe një ftesë publike për përfaqësuesit e partive opozitare. Të shfrytëzojnë mundësinë që në institucionet demokratike të shtetit të zhvillojmë dialog të hapur për të gjitha dallimet, për të gjitha temat”- deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi.
 
Përgjegjësia për këtë ngecje i takon si opozitës ashtu edhe pushtetit, thotë zëvendësanëtarja e këshillit nga radhët e BDI-së, deputetja, Nora Aliti.
 
“Demokracia është  një debat dhe ky debat nuk ngjallet me karrige bosh. Aq më tepër dhe aq më keq për momentin ndërtojmë imazhin se nuk po merremi vesh me njëri-tjetrin dhe përgjegjësinë për këtë situatë e mbajmë të gjithë ne. Asnjëri nuk mund të amnistohet”- tha zëvendësanëtarja e KNEI, Nora Aliti.
 
Ndërkaq, përfaqësuesi i Kabinetit të Presidentit të Republikës, Dimitar Mircev, kërkoi analizë më të thuktë për harmonizimin e të drejtës vendase dhe asaj evropiane, për zbatimin e tyre në praktikë, si dhe plan për punën e punën së KNEI-së. 
 
“Këshilli Nacional nuk guxon të varet nga qeveria. Propozoj të bëjmë një grup pune, ose të mbështetemi në Sektorin për Mbështetje të KN-së, krahas saj, të hartojmë program ose plan për punën e KN-së, pavarësisht qeverisë dhe sekretariatit, ku mund të planifikojmë tribuna dhe mund të trajtojmë çështje të rëndësishme, që nuk janë të lidhura me realizimin e programit”- u shpreh  anëtari i KNEI-së, Dimitar Mircev.
 
Pjesëmarrësit në seancën e Këshillit Nacional për Eurointegrime, i bënë thirrje opozitës që të kthehet në punën e këtij trupi, me të cilin, sipas ligjit edhe duhet të kryesojë opozita, për të dëshmuar se të gjitha palët, siç kanë deklaruar edhe angazhohen për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike.
 
Për shkak të bojkotit të opozitës, seancën e KNEI-së e kryesoi zëvendëskryetari nga radhët e VMRO-DPMNE-së, deputeti, Ilija Dimovski.
 
SHPËTIM NUREDINI