Botë
Bilanc lufte, mbi 300 të vrarë në protestat për çmimin e karburantit
16.12.2019 13:32
Të paktën 304 persona janë vrarë dhe mijëra mendohet të jenë plagosur nga protestat e nëntorit në Iran.....

Sipas Amnesti Intëneshnëll, ushtria dhe forcat e rendit u udhëzuan të qëllonin për të vrarë, ndërsa qeveria tentoi të heshtë zërat kundër mërzisë qytetare.
Autoritetet iraniane vranë mbi 300 persona dhe plagosën mijëra të tjerë në protestat e mbajtura në nëntor kundër rritjes së çmimeve të karburanteve.
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, njoftoi se ushtarët e gardës revolucionare u urdhëruan të qëllonin për vdekje.
Mes viktimave ishin edhe 12 fëmijë.
"Pas analizimit të videove dhe dëshmive tronditëse, shumë raste fatale erdhën si rezultat i të shtënave në kokë, zemër, qafë dhe në organe të tjera jetësore, çka tregon se forcat e sigurisë po qëllonin për të vrarë. Më pas u vu në jetë një fushatë për t'u ngjallur frikën qytetarëve dhe përmes bllokimit të internetit që ata të mos tregonin për atë që po ndodhte," deklaroi të hënën organizata.
Nga demonstratat e 15 deri 18 nëntorit u arrestuan mijëra protestues, gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe studentë që flisnin kundër regjimit.
Departamenti amerikan i Shtetit informoi këtë muaj se numri i viktimave mund të arrijë deri 1 mijë.
Mobilizimi qytetar u nxit nga masat e qeverisë iraniane për të hequr subvencionet për karburantet, duke rritur çmimet e tyre.
Irani po kalon një krizë ekonomike të shtyrë edhe nga sanksionet tregtare amerikane, si pasojë e mosrespektimit të detyrimeve për çarmatimin bërthamor dhe të përhapjes së konflikteve në rajon./Ora News
