Botë
Zhbogar: Vetingu, opsioni i fundit për gjyqësorin
16.12.2019 16:17
Euroambasadori, Samuel Zhbogar, e sheh si opsion të fundit vetingun në gjyqësor.....

Fillimisht duhet shfrytëzuar të gjitha elementet tjera për përmirësimin e gjendjes në gjyqësinë e vendit, thotë euroambasadori, sipas të cilit për aplikimin e vetingut nevojitet konsensus nga të gjitha palët.
“Vetingu është opsioni i fundit. Për veting ka një parakusht, ai është konsensusi nga të gjitha palët politike. Kjo është zgjidhja e fundit dhe për momentin nuk e shohim të nevojshme. Gjithsesi qëndrimi ynë mbetet se vendimin duhet ta sjellë vetë vendi.”,- tha ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar.
Murati: Kemi draft-versionin e Ligjit për kushtetuesen
Këto komente Zhbogar i bëri pas takimit me kreun e Gjykatës Kushtetuese, Sali Murati. Ky i fundit ka njohur ambasadorin Zhbogar me punën e kushtetueses si dhe projekt ligjin për Gjykatën Kushtetuese.
“Biseduam për ardhmërinë e Gjykatës Kushtetuese, jemi të kënaqur nga bisedimet dhe do ta vazhdojmë dialogun me Këshillin Evropian dhe institucionet tjera evropiane. Kemi draft version të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, sepse të gjitha vendet në Evropë që kanë gjykatë kushtetuese kanë ligj, tek ne mungon kjo, andaj po punojmë për atë version dhe kur të jetë gati kjo çështje do të zgjidhet njëjtë sikurse edhe vendet tjera të rajonit.”,- theksoi kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Sali Murati.
Murati nuk deshi të prononcohet rreth çështjes së vetingut në gjyqësi, që është paralajmëruar nga partitë në pushtet, BDI dhe LSDM.
FLUTURA LATIFI
