Maqedoni
Vetingu, Margarita Caca Nikollovska: Procesi të ketë edhe element ndërkombëtar
16.12.2019 17:27
Duke pasur parasysh mosbesimin e qytetarëve në gjyqësor, procesi i vetingut apo pastrimit duhet të fillojë menjëherë...

Duke pasur parasysh mosbesimin e qytetarëve në gjyqësor, procesi i vetingut apo pastrimit duhet të fillojë menjëherë, me qëllim që të shihet një rezultat konkret, nëse duhet ndonjë plotësim në rregullativa ligjore, apo ndonjë plotësim, elaborim dhe diskutim mbi çështjen. Kështu vlerëson ish gjykatësja në Gjykatën Evropianë për të Drejtat e Njeriut, Margarita Caca Nikollovska, sipas të cilës ky proces është dashur të fillojë shumë më herët. Në këtë rast duhet bërë një presion më të madh mbi institucionet që duhet të zbatojnë procesin, si Këshilli Gjyqësor, Këshilli i Prokurorëve, Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit, DAP, Policia Financiare etj. Në këtë proces të pastrimit duhet të përfshihet edhe ndonjë element ndërkombëtar, vlerëson Caca Nikollovska.
“Personalisht vlerësoj se këto institucione duhej njëjtë të punojnë edhe deri më tani. Tani duhet të japim mbështetje këtij procesi të fillojë të zbatohet përmes institucioneve nacionale. Pikërisht për shkak të mosbesimit në gjyqësor të mundësohet edhe ndonjë element ndërkombëtar, nëse jo më shumë, të hyjë në vlerësimin përfundimtar ose në një farë mënyre monitorimin e këtij procesi, nëse ka problem apo jo, apo nëse është e nevojshme ndonjë ndihmë, apo ndoshta duhet të theksohet ndonjë standard evropian që nuk është përfshirë në ligjet tona nacionale.”,- deklaroi ish gjykatësja, Margarita Caca Nikollovska.
Nikollovska: Kush ka respektuar ligjin nuk duhet frikuar
Caca Nikollovska po ashtu thekson se gjykatësit që kanë vepruar dhe gjykuar në bazë të ligjit nuk duhet t’i frikësojë procesi në fjalë.
“Mendoj se gjykatësit nuk frikohen nga vet zbatimi i procesit se sa nga pasiguria gjatë vet procesit se si do të zhvillohet në mënyrë procedurale. Ata nuk kanë nevojë të frikohen nga puna e institucioneve dhe njëkohësisht duhet të dinë se gjatë gjithë periudhës së punës së tyre në procesin e gjykimit është dashur ta zbatojnë ashtu siç parashohin ligjet. Frika për vlerësim të punës së tyre nuk mund të jetë bazë që ky pastrim mos të zbatohet.”,- u shpreh ish gjykatësja, Margarita Caca Nikollovska.
Nikollovska: Procesi duhet të jetë publik dhe transparent
Sipas ish gjykatëses, Caca Nikollovska, në këtë proces është e nevojshme transparencë e madhe dhe asgjë mos të zhvillohet pa prezencën e opinionit, pasi që vetëm në këtë mënyrë qytetarët marrin besimin se diçka po punohet. Për proces transparent dhe efikas mund të kontribuojnë edhe organizatat joqeveritare, në mesin e të cilave edhe Instituti për të Drejta të Njeriut, të cilën e drejton Nikollovska.
FLORIJE BELULI KAMBERI
