Maqedoni
Instituti “Analitika dhe Elija Mep”: RMV dhe Greqia kanë gatishmëri për bashkëpunim
16.12.2019 18:21
Një studim hulumtues të cilin e kanë realizuar Instituti “Analitika” nga Maqedonia....

Një studim hulumtues të cilin e kanë realizuar Instituti “Analitika” nga Maqedonia, së bashku me “Elija Mep” nga Greqia, ku janë prekur tre sfera, si: arsimi, kultura dhe sektori joqeveritar ka treguar se Maqedonia e Veriut dhe Greqia kanë treguar gatishmëri të bashkëpunimit pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, por kjo gatishmëri duhet të dalë në vepër, ku pritet që bashkëpunimi ndërinstitucional të rritet dukshëm. Ky hulumtim është kryer me qëllim që të shihet mundësia e funksionimit dhe ndërtimit të kornizës më efikase të Marrëveshjes së Prespës dhe përforcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve. Hulumtuesi në Institutin “Analitika”, Veli Kresi, thotë se janë zgjedhur këto tre fusha, sepse janë më të pranueshme në mes të dyja popujve dhe institucioneve, nga të cilat mund të merret një shembull i mirë i bashkëpunimit në mes të dyja vendeve edhe në sferat tjera.
“Nga hulumtimi është dëshmuar se ka gatishmëri për përmirësimin e bashkëpunimit të deritanishëm. Ka një klimë të mirë për bashkëpunim nga të dyja palët, por këtu ka hapësirë dhe pritet një gatishmëri për bashkëpunim nga institucionet e të dyja vendeve, por ky bashkëpunim duhet të jetë më i theksuar, posaçërisht në sektorin e organizatave joqeveritare, ku pritet një bashkëpunim më i theksuar, me qëllim që kjo klimë pozitive të ndikojë edhe tek sferat tjera.”,- tha hulumtuesi në Institutin “Analitika”, Veli Kresi”.
Sipas Jorgos Hristidis nga “Elija Mep”, Qeveria dhe institucionet të cilat merren me arsimin dhe kulturën duhet të jenë më të theksuar në gatishmërinë e tyre për bashkëpunim dhe se qeveritë e të dyja vendeve duhet të japin këtë shtytje për bashkëpunim.
“Hulumtimi ynë ka treguar se bashkëpunimi më i theksuar në mes të dyja vendeve është në sektorin joqeveritar, ndoshta për shkak pavarësisë së tyre të cilën e kanë, ndërsa më i dobët është treguar në arsimin sipëror, ku është parë një gatishmëri më e paktë për bashkëpunim në mes universiteteve, ndërsa kultura është diku në mes. Por, ajo që duhet theksuar është fakti se ka një potencial nga të dyja palët.”,- u shpreh Jorgos Hristidis nga “Elija Mep”.
Sipas Kresi dhe Hristidis bashkëpunimi në mes të dyja vendeve mund të rritet përmes nënshkrimit të marrëveshjeve bilaterale në mes të dyja vendeve, të cilat do të jenë një udhërrëfyes dhe shtytës edhe për institucionet tjera.
FITIM KRYEZIU
