Maqedoni
VMRO: Pushteti po e keqpërdor shtëpinë ligjvënëse. LSDM: VMRO i bllokon proceset që janë në dobi të qytetarëve
16.12.2019 18:56
Në dy seancat e fundit të Kuvendit kanë arritur 123 propozim ligje...

Në dy seancat e fundit të Kuvendit kanë arritur 123 propozim ligje, të cilët përbëjnë një shifër që cilësohet si rekord nga opozitarja VMRO-DPMNE.
Nga opozita akuzuan se me miratimin e këtyre ligjeve pushteti po bën keqpërdorim klasik të institucionit ligjvënës. Koordinatori i kësaj partie, Nikolla Miceski, theksoi se pushteti miraton ligje të rëndësishme, por pa i konsultuar ekspertët e fushave përkatëse dhe pa dijeninë e opinionit.
“Duam të potencojmë se bëhet fjalë për ligje totalisht populiste të cilat nuk janë në interes të qytetarëve, por ligje të cilat duhet ta mbulojnë paaftësinë e pushtetit, i cili duhet t’i përmbush premtimet dhe përmes këtyre ligjeve duan t’i manipulojnë qytetarët se kinse diçka po punojnë. Qëllimi i VMRO-DPMNE-së nuk është që t’i bllokojë proceset e këtij ligji, t’i bëhet e qartë opinionit.”,- deklaroi Nikolla Miceski nga VMRO-DPMNE.
Nga mazhoranca u përgjigjën se shumica e propozim ligjeve kanë të bëjnë me uljen e gjobave në komunikacion, ndërsa i bën thirrje VMRO-së të mos pengojë proceset që janë në dobi të qytetarëve.
“Çmenduri ishte të rriten pagat, për ata çmenduri është të rritet paga minimale, të miratohet Ligji për Falimentuesit, të ulen gjobat. Duhet të kenë parasysh në VMRO-DPMNE se kjo çmenduri e tyre, e cila është në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve, këta të fundit do të dinë ta vlerësojnë më 12 prill.”,- deklaroi Kostadin Kostadinov nga LSDM.
Pushteti dhe opozita akoma vazhdojnë të kenë qëndrime të ndara sa i përket ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
VMRO nuk i tërheq amendamentet e parashtruara, ndërsa në linjë të njëjtë me opozitën është edhe BDI, e cila ka dorëzuar 5 mijë amendamente.
ZEKIRIJA MEXHITI
