Maqedoni
Kumanovë, spitali pajiset me aparaturë të re
16.12.2019 19:14
Në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës u lëshuan në përdorim pajisjet e reja mjekësore të cilat u siguruan nga Ministria e Shëndetësisë...

Në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës u lëshuan në përdorim pajisjet e reja mjekësore të cilat u siguruan nga Ministria e Shëndetësisë për nevojat e këtij institucioni shëndetësor. Bëhet fjalë për shtyllë endoskopike dhe video laringoskop që përdoren për shumë lloje të sëmundjeve.
“Bëhet fjalë për shtyllë të re endoskopike dhe video laringoskop, pajisje teknike që janë më moderne dhe që përdoren në qendrat më të zhvilluara në Europë. Tani do të jenë në dispozicion në Kumanovë dhe rajonin më të gjerë, duke e pasur parasysh ekspertizën e madhe dhe numrin e madh të pacientëve, posaçërisht nga kirurgjia digjestive që kurohen në këtë spital.”,- tha ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Shtylla endoskopike do të mundësojë që në të njëjtën kohë të kryhen intervenimet kirurgjike, gjinekologjike dhe ortopedike, ndërsa deri më tani kemi pasur vetëm një shtyllë endoskopike. Duhej me ditë të pritej të operohen pacientët, ndërsa tani kanë mundësi për më shumë intervenime. Video laringoskopi përdoret për të siguruar lehtësim të frymëmarrjes te pacientët nën anestezi të përgjithshme dhe te pacientët me frymëmarrje të kompromentuar.”,- u shpreh drejtoresha në spitalin e Kumanovës, Snezhana Zaharieva.
Ministri Filipçe informoi se gjatë muajve të ardhshme pritet të instalohet aparat i ri i tomografisë kompjuterike për pacientët që do të pranohen në qendrën urgjente, si dhe furnizimi me mamografi të re - që është në procedurë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
