Maqedoni

“Drejt së ardhmes, pa harruar sakrificat” - Universiteti i Tetovës feston 25 vjetorin e themelimit

16.12.2019 19:38

Me ngritjen e shtatores së rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Fadil Sulejmanit...

Me ngritjen e shtatores së rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Fadil Sulejmanit, ky universitet shënoi 25 vjetorin e themelimit, duke u paralajmëruar se universiteti në të ardhmen pritet të mbajë emrin e tij.
 
Ky tempull i diturisë, i ngritur me sakrificën e shumë shqiptarëve, profesorëve dhe studentëve të vendosur, dëshmon dashurinë e madhe të një populli për dije dhe arsimim, u tha gjatë ceremonisë.
 
“Fadili ishte shumë këmbëngulës. Çdo punë e bënte mirë dhe askush prej nesh nuk guxonim t’i thoshim se kjo punë nuk bëhet, as unë as fëmijët. Gjithmonë thoshte do të fitojë.”,- tha bashkëshortja e Fadil Sulejmanit.
 
“Kjo është ditë e veçantë për popullin shqiptar, për rininë studentore, profesorët, intelektualët dhe dashamirët shqip, të cilët u bënë bashkë për mbrojtjen e këtij tempulli të dijes dhe ardhmëri, në kohën ku themelimi dhe ngritja në këmbë të shëndosha universiteti pengohej dhe luftohej me të gjitha mjetet e mundshme të dhunës.”,- u shpreh rektori i UT-së, Vullnet Ahmeti.
 
“Ideja,  vizioni i nismëtarëve, i realizuesve, i legalizuesve, atyre që e institucionalizuar këtë universitet, është përmbushur. Misioni i Universitetit të Tetovës do të vazhdojë edhe më tutje deri sa i njëjti të funksionojë.”,- tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.
 
“Ftohen ekspertët e fushës së arsimit, se jemi të hapur për nisma të ndryshme për përmirësimin e legjislacionit, kjo është ajo që mund të bëjmë për të krijuar kushtet për rininë tonë, për hapjen e flatrave të tyre dhe zgjerimin e horizonteve të tyre.”,- u shpreh kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
 
Në këtë akademi titulli “Honoris kauz”a iu nda aktorit, Mirush Kabashi.
 
“Kjo ceremoni kaq e madhe, kaq madhështore, kaq e bukur, është një kujtim i jashtëzakonshëm, nuk është dhuratë, është përgjegjësi, është përgjegjësi e jashtëzakonshme.”,- deklaroi aktori, Mirush Kabashi.
 
Universiteti i Tetovës inauguroi edhe Institutin e Gjuhës, Kulturës dhe Qytetërimit Shqiptar “Josif Bageri”.
 
Ky institucion shkencor pritet që të merret me studime serioze për historiografinë shqiptare, me theks të veçantë gjuhësinë, kulturën dhe qytetërimin shqiptar.
 
VISAR SADIKI