Ivanovi kërkoi të respektohen rezolutat për emrin
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, dje për herë të parë pati fjalim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara...

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, dje për herë të parë pati fjalim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të thirrur nga presidenti, Barak Obama, për përballje me rrezikun në rritje nga terrorizmi.
Gjatë paraqitjes së tij, presidenti Ivanov e lidhi stagnimin e integrimeve me gjendjen e sigurisë në rajon dhe i bëri thirrje SHBA-së dhe Bashkimit Evropian që të mos lënë vakuum në hapësirën ballkanike.
Në atë drejtim, presidenti Ivanov kërkoi që me respektimin e rezolutave, të miratuara mu në Këshillin e Sigurimit për kontestin ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë, të vazhdojnë integrimet si të Maqedonisë, ashtu edhe të vendeve të tjera ballkanike.
Presidenti Ivanov, politikën greke ndaj Maqedonisë e prezantoi si kërcënim për stabilitetin në rajon.
Ai kërkoi nga Këshilli i Sigurimit, si institucion kryesor botëror, të kujdeset për zbatimin e aktvendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe Maqedonia të bëhet anëtare e NATO-s.
