“Sipërmarrësi i vitit”, ulet interesimi, kompanitë nuk i përmbushin kriteret

17.12.2019 15:43

Vetëm 31 kompani të vogla këtë vit kanë plotësuar kriterin për të konkurruar për “Sipërmarrës të vitit”...

Vetëm 31 kompani të vogla këtë vit kanë plotësuar kriterin për të konkurruar për “Sipërmarrës të vitit”. Ndonëse ky event shërben për të motivuar krijimin e bizneseve të vogla, që shërbejnë si motor për zhvillimin ekonomik dhe punësimin, ndodhi e kundërta.

Sipas organizatorëve, ndër vite vërehet ulje e madhe e numrit të kompanive që plotësojnë kriterin e rritjes së numrit të punëtorëve, të të ardhurave dhe rritjes së investimeve.

“Ajo që na shqetëson është se për dallim nga viti i parë kur kemi filluar eventin “Sipërmarrës i vitit” në vitin 2007 kur kishte 320 kompani që hynë në konkurrim, këtë vit ka vetëm 31 kompani. Shpresoj se katër kompanitë fituese do të jenë motiv që numri i kompanive konkurrente të jetë përsëri treshifror, të cilat do të guxojnë të bëjnë diçka më shumë.”,- tha kryetarja e LOE-së, Danella Arsovska.

Çmimet u ndanë për sipërmarrësit më të suksesshëm të vitit, në kategorinë e ndërmarrjeve mikro dhe në atë të ndërmarrjeve të vogla. Këto çmime për fituesit janë motiv shtesë për të vazhduar me punë dhe me investime të reja.

“Mirënjohja është çmimi më i lartë dhe më i këndshëm që mund t’i jepet ndokujt për mundin dhe sakrificën e bërë.”,- u shpreh fituesi i vendit të parë për kategorinë mikro, Riza Rexhepi.

“Është emocion i madh kur pas një mbarimi të një vepre të mirë, fitoni mbështetje nga kolegët, bashkëpunëtorët. Për t’u arritur sukses është e nevojshme shumë punë, andaj dua të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët.”,- theksoi fituesja e vendit të parë në kategorinë e ndërmarrjeve të vogla, Daniella Nikollovska.

Ministria e Ekonomisë dhe Odat Ekonomike premtojnë përkrahje për këto ndërmarrje.

“Mbështetja do t’u japë stimul shtesë dhe mundet t’ju hapë aspekt të ri të punës dhe ideja për produkte të reja apo mundësi për zgjerimin në tregje të reja.”,- u shpreh zëvendësministri i ekonomisë, Kirill Kolemishevski.

“Ndonëse fillimi i çdo biznesi paraqet rrezik dhe kërkon guxim të madh, sepse suksesi nuk është i garantuar dhe varet nga faktorë kompleks, gjithsesi sipërmarrësit gjejnë kurajo dhe frymën inovative. Prandaj, përkrahja dhe promovimi i sipërmarrësve është një nga përcaktimet themelore të OEMVP-së.”,- theksoi kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.

Zëvendësministri Kolemishevski tha se ndërmarrjet e vogla punësojnë rreth 60% nga numri i përgjithshëm i të punësuarve dhe marrin pjesë në vlerën e shtuar me rreth 50-60%. (Ersan Pajaziti, TVM2)