Maqedoni

Vetoja e Francës, Timonie: Reflektoni, vazhdoni punën, data duhet merituar

17.12.2019 17:14

Ambasadori francez, Kristian Timonie, nuk e quan goditje pengesën e Francës në tetor për mosdhënien e datës për bisedime....

Sipas tij, shteti duhet t’i qaset më me përkushtim parimeve që dërgojnë në dyert e BE-së dhe të reflektojë përmbushjen e kushteve që kërkojnë kapitujt legjislativ të BE-së. Duhet të punohet në mënyrë që të meritohet datë për bisedime, ka thënë Timonie në diskutim me studentët e UEJL-së.
 
 “Nuk është goditje. Punoni me parime solide të cilat do të ju mundësojnë një përafrim të duhur. Thjesht nuk bëhet fjalë këtu për “Të hapim për të hapur”, duhet hapur kapitujt në mënyrë që të keni sukses edhe për ju edhe për Evropën.”,- deklaroi ambasadori i Francës, Kristian Timonie.
 
Timonie ka folur edhe për politikën e jashtme franceze kundrejt vendeve tjera të Evropës. Franca kërkon të ndërtojmë Evropë të pavarur, duke respektuar parimet e nevojshme që mundësojnë përafrim të objektivave,  ka thënë Timonie.
 
“Qëllimi dhe ajo që synojmë ne si diplomaci franceze, apo si politikë e jashtme e Francës, është që të ndërtojmë një Evropë të pavarur, me të gjitha shtetet ku do të respektohen të gjitha parimet e duhura. Pra, të jemi të përafruar me të gjitha shtetet e tjera të botës, në drejtim të përafrimit të politikave me ato shtete.”,- tha ambasadori i Francës, Kristian Timonie.
 
Në Samitin e tetorit, Franca i tha “jo” hapjes së negociatave me RMV-në dhe Shqipërinë me insistimin që këta dy shtete nuk kanë plotësuar sa duhet kushtet dhe reformat që kërkon BE. Po ashtu Parisi nuk tërhiqet edhe nga kërkesa për fuqizimin e një metodologjie të re për zgjerim së pari dhe më pas vendet e BE-së të përqendrohen në politikën e zgjerimit me shtete të reja.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU