Maqedoni

ASh: BDI dhe VMRO mbajnë peng drejtësinë. Zaev: Jo “veting”, por pastrim të gjyqësisë

17.12.2019 17:39

Aleanca për Shqiptarët konsideron se BDI dhe VMRO-DPMNE janë në koalicion në pushtetin gjyqësor...

Aleanca për Shqiptarët konsideron se BDI dhe VMRO-DPMNE janë në koalicion në pushtetin gjyqësor dhe së bashku mbajnë peng gjyqësinë.
 
Sipas ASh-së, ky bashkëpunim është konfirmuar në disa raste përfshi edhe zgjedhjet në anëtarëve në Këshillin Gjyqësor, që sipas saj nënkupton vazhdimin e partizimit të gjyqësisë përkundër deklarimeve për reforma.    
 
“Aleanca për Shqiptarët për shkak të gjithë këtyre treguesve edhe njëherë bën kërkesë publike që të fillohet me veting urgjent për të çliruar pushtetin gjyqësor nga ndikimi i pushtetit ligjvënës dhe ai ekzekutiv, si dhe lirimit të tij nga uzurpimet partiake që po dëmtojnë një sistem të tërë të drejtësisë. BDI nuk mund të manipulojë me kërkesat false për veting, me shpresë që vetingun do ta organizojnë vetë.”,- tha zëdhënësi i ASh-së, Flakron Bexheti.
 
ASh kërkon që vetingu të realizohet me asistencë të shteteve të BE-së apo SHBA-ve. Mirëpo, kryeministri, Zoran Zaev, flet për një proces pastrimi në gjyqësi, i cili mund të fillojë menjëherë, pasi me miratimin e disa ligjeve reformuese institucioneve përkatëse u janë dhënë mekanizma për të pastruar gjyqësinë.
 
Përveç Komisionit për parandalim të Korrupsionit, Zaev pret që edhe Këshilli Gjyqësor të angazhohet për të pastruar radhët e veta.
 
“Që gjykatësit dhe prokurorët e ndershëm të mund të punojnë duhet të ndodh pastrimi i atyre pak gjykatësve të pandershëm me indicie për procedime të jashtëligjshme, procedime me vonesë, mbajtje të lëndëve në sirtarë, abrogim të lëndëve dhe kthim nga e para, vjetrim të lëndëve dhe të gjitha këto që paraqesin problem. Pres që institucionet të veprojnë konform rregullativës aktuale, si Ligji për Këshill Gjyqësor, Ligji për Gjykata dhe Ligji për Anti-korrupsion. Me procedimin konform këtyre ligjeve ata do ta bëjnë pastrimin.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Për dallim nga partneri i koalicionit qeverisës, edhe BDI ka paralajmëruar një proces vetingu në gjyqësi, ndërkaq, BE konsideron se për momentin nuk është i nevojshëm vetingu në gjyqësor.
 
Një ditë më parë, euroambasadori, Samuel Zhbogar, tha se BE pret zbatimin e ligjeve dhe pastrimin e gjykatave nga brenda ndërkaq paralajmëroi mbikëqyrje të proceseve gjyqësore për rastet për korrupsion të lartë.   
 
SHPËTIM NUREDINI