Maqedoni
Hulumtim i “Eurothink”, shërbimet sekrete nuk janë sa duhet transparente
17.12.2019 17:49
Shërbimet sekrete në Maqedoninë e Veriut nuk janë transparente sa duhet...

Shërbimet sekrete në Maqedoninë e Veriut nuk janë transparente sa duhet. Konstatimi del nga analiza e Qendrës për politika europiane “Eurothink”, ku si problem shtesë shikohet mospërfshirja e llogaridhënies së shërbimeve sekrete në prioritetet e NATO-s dhe BE-së. Koordinatorja e projektit, Magdalena Lembovska, thotë se transparencën nga shërbimet sekrete, në emër të qytetarëve, ta kërkojnë institucionet që i mbikëqyrin ato, për t’i siguruar qytetarët se shërbimet punojnë sipas ligjit.
“Nevojitet vendosja e një standardi për transparencë. Në kuadër të hulumtimit dërguam kërkesë deri tek tre shërbime. Për pyetjet e njëjta morëm përgjigje ndryshe. Njëri shërbim thotë se informacioni është me karakter publik, i dyti e klasifikon si të besueshëm ndërkaq institucioni i tretë si sekret shtetëror. Kjo nuk është praktikë e mirë dhe flet për problemet në klasifikimin e informacioneve.”,- deklaroi koordinatorja në “Eurothink”, Magdalena Lembovska.
Situata e ngjashme edhe në shtetin anëtar të NATO–s, Malin e Zi, por edhe Serbinë e cila hapëron drejt strukturave euroatlantike.
“Prej kur kemi hyrë në NATO kemi rënie të qasjes deri tek të dhënat e Agjencisë së Shërbimeve Sekrete. Deri në 2010-n ka pasur raporte të caktuara në punën e Agjencisë. Sot nuk i kemi ato. Agjencia cilësohet si Agjencia më sekrete në mbarë rajonin.”,- tha Nina Bajramspahiç nga Instituti Alternativa – Mali i Zi.
“Shërbimet e sigurisë tani janë mbyllur për publikun dhe mediat. Në vend të transparencës dhe përgjigjes së pyetjeve ata vetëm plasojnë ndonjë informacion në kuadër të ndonjë fushate ndaj ndonjë gazetari hulumtues ose opozitës. Kjo ndikon në politizimin e lartë të shërbimeve të sigurisë.”,- theksoi Predrag Petroviç nga Qendra për Siguri Politike - Beograd.
Në kuadër të reformave të shërbimeve të sigurisë, në vend janë formuar Agjencia Tekniko-Operative si dhe Agjencia për Siguri Kombëtare. Ndërkaq, në prag të ratifikimit të protokollit të NATO-s, qeveria ka vendosur të formojë Këshill për Koordinim të Shërbimeve të Sigurisë dhe Kundërzbulimit, i kryesuar nga kryeministri Zaev.
MERAL ISMAILI
