Maqedoni
Shtohet numri i amendamenteve, Kodi Zgjedhor para Komisionit për Sistem Politik
17.12.2019 18:07
Komisioni për Sistem Politik ka caktuar për të mërkurën seancën ku do të diskutohen dy propozimet për ndryshime në Kodin Zgjedhor...

Komisioni për Sistem Politik ka caktuar për të mërkurën seancën ku do të diskutohen dy propozimet për ndryshime në Kodin Zgjedhor, edhe përkundër faktit që shërbimet e Kuvendit po punojnë ende për përkthimin e rreth 6500 amendamenteve të dorëzuara nga VMRO-DPMNE dhe BDI.
Kreu i Komisionit, Aleksandar Kiracovski, thotë se ende ka shumë amendamente që janë duke u përpunuar nga shërbimet e Kuvendit.
“Për ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Zgjedhor dhe listat e hapura bashkë me përfaqshmin gjinor deri tani janë arkivuar 1544 amendamente të sjella nga VMRO-DPMNE dhe BDI. Për një njësi zgjedhore janë arkivuar 2190 amendamente po nga këto dy parti. Për 2165 amendamentet që janë dorëzuar gjatë këtyre dy ditëve të fundit shërbimet po punojnë në mënyrë plotësuese. Pjesa më e madhe e amendamenteve janë të karakterit teknik.”,- deklaroi kryetari i Komisionit për Sistem Politik, Aleksandar Kiracovski.
BDI nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga amendamentet e propozuara, madje ka shtuar edhe 1400 propozim ndryshime të Kodit Zgjedhor. Integristët këmbëngulin se nuk duan të bllokojnë procesin por do të ishte precedan i rrezikshëm ndryshimi i modelit zgjedhor vetëm disa muaj para mbajtjes së zgjedhjeve.
Nga BDI thonë se për këtë duhet konsensus më i gjerë politik.
GAZMEND REXHEPI
