Maqedoni
Program i ri për punësim, aktivizim i grupeve të rrezikuara në tregun e punës
17.12.2019 18:25
Javën e ardhshme do të zbatohet projekti për mbështetje për personat me status të rrezikuar social...

Javën e ardhshme do të zbatohet projekti për mbështetje për personat me status të rrezikuar social, shfrytëzues të të ardhurave të garantuara minimale, me qëllim që të përfshihen në tregun e punës, të mbesin aty dhe jo të kthehen në sistemin për mbrojtje sociale.
Gjatë kësaj periudhe ata do të marrin të ardhurat minimale të garantuar, por të ardhurat shtetërore do t’u ndërpriten në momentin që do të punësohen, por do t’i shfrytëzojnë shtesat fëmijërore dhe shtesat për arsim nëse ata kualifikohen.
“Reformat sociale do të thotë përfshirje të të varfërve ose atyre personave të cilët janë me vite në sistemin për mbrojtje sociale në sistemin e tregut të punës ose përforcimin ekonomik, që të munden ta ushqejnë vetë familjen e tyre dhe të jenë një shembull i mirë për fëmijët e tyre.”,- tha ministrja e punës dhe politikës sociale, Milla Carovska.
Prej muajit qershor dhe deri më tani janë punësuar 370 persona përmes qendrave për punë sociale dhe Agjencisë së Punësim.
“Përmes këtij programi është paraparë që të hapen 400 vende pune përmes subvencioneve, ku 50% e pagës në 12 muajt e parë do të financohen nga IPA-grandet, ndërsa 50% nga buxheti i shtetit. Nga viti i kaluar deri tani, numri i të punësuarve u rrit me mbi 40 mijë persona dhe për 3.3 për qind u rrit numri i të rinjve të punësuar.”,- tha drejtoresha e APRMV-së, Biljana Jovanovska.
Përfshirja e kategorive të margjinalizuara në sistemin e shtetit është një nga kushtet e BE-së.
“Ne po flasim për një nga parimet më të rëndësishme të BE-së, kjo është përfshirja. Punojmë me të gjithë dhe duam që të gjithë të kenë mundësinë për të punuar, prandaj duhet të përmbushet një kusht i tillë ku secili qytetar do të ketë mundësi të inkuadrohet në shoqëri, që edhe vendi të integrohet në BE.”,- theksoi Nikolla Bertolini nga delegacionin i BE-së.
Me këtë projekt do të përfshihen 1.200 persona që janë shfrytëzues të të hyrave të garantuara dhe për realizimin e të njëjtit janë dedikuar gjithsej 4.1 milionë euro, prej të cilave 3.3 milionë euro janë mjete nga grandet e BE-së, ndërsa pjesa tjetër janë mjete buxhetore.
FARIJE DAUTI BAKIJU
