Maqedoni
Zvogëlimi i ndotjes, VMRO-DPMNE: Pushteti nuk ka strategji
17.12.2019 18:31
Me 50 vota “për”, Kuvendi miratoi vendimin për ndarjen e mjeteve ndërmjet shfrytëzuesve buxhetorë....

Me 50 vota “për”, Kuvendi miratoi vendimin për ndarjen e mjeteve ndërmjet shfrytëzuesve buxhetorë të pushtetit qendror dhe fondeve. Por, masa për ndarjen e kondicionerëve inverterë hasi në replika dhe kundër-replika të shumta mes shumicës parlamentare dhe opozitës. Qeveria nuk posedon strategji konkrete në luftën kundër ndotjes së ajrit, akuzoi opozita, sipas së cilës bëhet fjalë për masa populiste dhe ligj antikushtetues, meqë përfitojnë vetëm katër komuna dhe nuk janë qartësuar kriteret në bazë të të cilave do të ndahen inverterët.
“Pse vetëm për katër komuna vlen kjo masë edhe atë për Shkupin, Manastirin, Tetovën dhe Kërçovën. Siç ne shohim, të gjitha qytetet dhe komunat janë të rrezikuara nga ndotja e ajrit, kjo që po bëni dëshmon se ju nuk kemi strategji për uljen e ndotjes dhe se i shfrytëzoni mjetet buxhetore për blerje të votuesve para zgjedhjeve.”,- tha Trajko Veljanovski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Ndotja luftohet, parashihen edhe mjete shtesë
Nga shumica parlamentare thonë se jo vetëm që nuk bëhen dallime mes komunave, por janë planifikuar edhe mjete shtesë në buxhetin për vitin e ardhshëm.
“Komunat janë përzgjedhur edhe për nga madhësia, koncentrimi i popullatës dhe shkalla e ndotjes. Sa i përket kritereve, do të ketë konkurs publik të shpallur dhe ato do të jenë të qarta dhe transparente për gjithë që konkurrojnë. Më mirë do të ishte të diskutojmë për faktin se bëhet fjalë për 620 milion denarë të dedikuara për subvensionimin e inverterëve, por pyetje të tilla nuk dëgjova nga ana juaj.”,- tha Kostadin Acevski nga LSDM.
Zëvendësministrja e Financave, Shyrete Elezi, sqaroi se kjo masë do të zëvendësojë emergjencat joefektive të cilat kontribuojnë në rritjen e koncetrimit të PM10 dhe kjo do të kushtojë 620 milion denarë dhe po ashtu edhe 90 milion denarë shtesë do të ketë për blerjen e kondicionerëve inverterë.
FLUTURA LATIFI
