Kulturë

ITShKShM shënoi 100 vjetorin e themelimit të “Xhemijet”

17.12.2019 18:44

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup ka shënuar 100-vjetorin...

Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup ka shënuar 100-vjetorin e themelimit të Organizatës politike “Xhemijet”, e cila  ishte organizata e parë legale politike që përfaqësonte shqiptarët dhe pjesëtarët e tjerë të komunitetit mysliman. Në shenjë përkujtimi të vendit, ku është mbajtur kuvendi themelues i “Xhemiejtit”, u shpalos një pllakë përkujtimore në Kapan Han të Çarshisë së Vjetër. Gjatë këtij manifestimi u theksua rëndësia historike e kësaj organizate politike, me të cilën lidhet mbijetesa e shqiptarëve dhe myslimanëve në periudhën më të egër ndërmjet dy luftërave botërore.
 
“Mos të kishte ekzistuar “Xhemijeti” nuk do të kishte edhe shqiptarë dhe pikërisht fuqia e “Xhemijetit” gjatë vitit 1923-1925 e beri që të tremb pushtuesin serb në atë periudhë kohore dhe jorastësisht ajo iu hakmor fuqishëm për ta eliminuar nga skena dhe e burgosi liderin shpirtëror, Ferad Dragën, dhe e rrënoi “Burmali Xhaminë” për të ndërtuar shtëpinë e oficerëve dhe për të treguar se shqiptarët nuk kanë çfarë kërkojnë në këto troje.”,- tha Skender Asani nga ITShKShM.
 
“Ne po e festojmë 100 vjetorin e organizatës, e cila ka qenë mburoja e vetme e kohës për ta penguar shpërnguljen e shqiptarëve, reformat agrare dhe procesin e konolizimit që e ushtronte pushteti serb në atë kohë.”,- tha Zekirija Ibrahimi.
 
Në shënimin e 100-vjetorit të “Xhemijetit” në ambientet e Institutit u organizua edhe një ekspozitë me dokumente dhe fotografi e titulluar “Xhamitë dhe teqetë në Shkup mes dy luftërave botërore”, si dhe u promovuan tri vepra për “Xhemijetin”, të autorëve Jusuf Osmani, Ismet Azizi dhe Skender Asani.
 
GAZMEND KURTISHI