Maqedoni

Në USHT, hapet sot seminari i VIII-të ndërkombëtar i albanologjisë

25.09.2014 14:53

Seminari Ndërkombëtar i Albanologjisë në Tetovë, sot do ta hap siparin e tetë, ku edhe bëhet hapja zyrtare e tij...

Në seminarin në të cilin pritet të marrin pjesë studiuesit në zë të shkencave të albanologjisë, në boshtin e tij ka temën "Kultura shqiptare, pjesë e pashkëputshme e kulturës evropiane".
 
Studiuesit, përgjatë 2 ditëve sa do të zhvillohet seminari, do të mund të paraqesin kumtesat e tyre në katër sesione shkencore: në sesionin e gjuhësisë, sesionin e letërsisë, sesionin e historisë dhe atë të etnokulturës.
 
Sesioni i gjuhësisë do të ketë për temë "Arritjet dhe problemet aktuale e historike të gjuhës shqipe", kurse ai i letërsisë ka për temë "Relacionet e letërsisë shqipe".
 
Në sesionin e historisë do të shtrohet tema "Trojet shqiptare në kohën e sundimit osman", kurse sesioni i etnokulturës do zhvillojë punimet nën temën "Aspekte të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve".
 
Organizator i seminarit është Universiteti Shtetëror i Tetovës. 
 
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, do të marrë pjesë në Seminarin e VIII-të Ndërkombëtar të Albanologjisë, ndërsa më pas, në fshatin Negotinë, Komuna e Vrapçishtit, do ta vizitojë edhe sh. f. "Naim Frashëri".