Maqedoni
Dy të akuzuar në rastin “Mostra”, 9 ditë në grevë
25.09.2014 16:39
Të akuzuarit për rastin e ashtuquajtur “Monstra”, Fejzi Aziri dhe Agim Ismailoviç, të cilët ndodhen në paraburgim në burgun e Manastirit...

Të akuzuarit për rastin e ashtuquajtur “Monstra”, Fejzi Aziri dhe Agim Ismailoviç, të cilët ndodhen në paraburgim në burgun e Manastirit, tanimë prej 9 ditësh ndodhen në grevë urie.
Avokati, Naser Raufi, sqaron se ata janë në grevë në shenjë proteste kundër vonesës së aktvendimit të Gjyqit Themelor, por edhe për shkak të mosofrimit të ndihmës mjekësore të cilën e kërkojnë, si dhe kushteve të mjerueshme në burgun e Manastirit.
Ai, njëherit i ka quajtur spekulime informacionet se i akuzuari tjetër, Sami Luta, ka tentuar të vetëvritet. Ai sqaron se vetëvrasja i ka shkuar ndërmend të akuzuarit, Fejzi Azirit.
“Nuk ka asnjë lloj tentimi për vetëvrasje siç spekulohet, në këtë rast e kam fjalën për Sami Lutën, por në vizitën që e bëra unë me 16 shtator në burgun e Manastirit, i akuzuari, Fejzi Aziri, mua më tha që është në një situatë të keqe shëndetësore, nuk i ofrohet mjekim dhe i njëjti tha që bile mund të ndodhë që të bëjë vetëvrasje dhe këtë e ka deklaruar para meje Fejzi Aziri. Ai, ankohet edhe për kushtet mizore në burgun e Manastirit dhe maltretimet që i ka në kontinuitet dhe që nuk i jepet ndihma mjekësore që ai e kërkon një kohë të gjatë”- deklaroi avokati, Naser Raufi.
Pas njoftimeve për keqësimin e gjendjes së të akuzuarve në rastin “Monstra”, Ministria e Drejtësisë dhe institucioni Avokati i Popullit paralajmërojnë se do t’i vizitojnë ata në burg, për tu njoftuar drejtpërdrejt me gjendjen e tyre.
SANIJE KASAMI
