Maqedoni
Thaçi i thotë jo Ramës: Jo eksperimente rajonale, synojmë NATO-n e BE-në
18.12.2019 14:26
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka refuzuar pjesëmarrjen në takimin rajonal të shteteve të Ballkanit Perëndimor....

Thaçi përmes një postimi në Facebook ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për ftesën, por i përkujton se ndryshe nga Shqipëria, Republika e Kosovës vazhdon edhe më tutje të ketë pengesa serioze në konsolidimin e shtetësisë së vet, e cila vjen nga Serbia, e cila në të gjitha format dhe mundësitë në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet tona për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.
“Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje - Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës. Kjo nënkupton se këto dy shtete nuk duan fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Kosovën. Prandaj, për aq kohë sa nuk do të ketë njohje reciproke me këto shtete, nuk mund të këtë përparim në aspektin e bashkëpunimit rajonal. Fundja, Kosova synon anëtarësim në NATO e BE dhe jo të bëhet pjesë e iniciativave eksperimentale rajonale, që janë rezultat i paaftësisë së BE-së për t’ia hapur dyert e anëtarësimit shteteve të Ballkanit Perëndimor”,- tha presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Thaçi përkujton se rrethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë në Novi Sad dhe në të dytin në Ohër, nuk kanë ndryshuar, prandaj ai si president i Republikës së Kosovës në emër të institucioneve shtetërore refuzon pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal që mbahet në Tiranë.
