Maqedoni

Mungesa e punëtorëve të kualifikuar, arsimim dual me ndihmën e sektorit privat

18.12.2019 16:38

Pas përfundimit të shkollës së mesme, tregu i punës vëren defektet e sistemit....

Ka shumë gjimnazistë e shumë pak profesionistë të kualifikuar edhe për profesione që kërkojnë vetëm arsim të mesëm profesional. Aktualisht ka mbi 100 programe mësimore, ku përfshihet praktika, por për sukses duhet mbështetje edhe nga komuniteti i biznesit.
 
“Disbalanci është krijuar sepse ne njëzet vitet e fundit kemi prodhuar vetëm gjimnazistë dhe kemi akredituar vetëm fakultete që gjenerojnë kuadro që nuk do të absorbohen. Andaj duhet të promovohet arsimimi dual, sepse në të ardhmen nuk do të vlerësohen diplomat, por aftësitë e përfituara të individëve.”,- deklaroi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Koço Angjushev.
 
“Kërkoj që të kemi edhe më shumë iniciativë nga pjesëtarët e komunitetit të biznesit, që të thellojnë bashkëpunimin me institucionet arsimore dhe të arrijmë bashkë qëllimin, e qëllimi është arsimimi cilësor.”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
 
Ambasadorja, Sibel Suter, thotë se Zvicra është ekonomia më konkurrente në botë për 9 vite me radhë. Për këtë meritore është fuqia punuese e kualifikuar duke iu falënderuar sistemit të zhvilluar të arsimit profesional.
 
“Për të arritur një sistem cilësor të arsimimit profesional që kërkohet në treg, nevojitet partneritet mes sektorit privat dhe publik.”,- u shpreh ambasadorja e Zvicrës në RMV, Sibel Suter.
 
Projekti “Arsim për punësim” përkrahet nga Agjencia zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim dhe Oda Ekonomike e RMV-së.
 
FLUTURA LATIFI