Maqedoni
Ndotja e ajrit, Nuredini: Nuk ka ende nevojë për masa të jashtëzakonshme
18.12.2019 17:11
Stacionet matëse vazhdojnë të regjistrojnë nivel të lartë të ndotjes në Shkup, Manastir, Shtip, Tetovë dhe Kumanovë...

Pas ditëve me shifra alarmante të nivelit të ndotjes, Ministria e Ambientit po i shqyrton mundësitë për masa shtesë. Megjithatë, ministri Naser Nuredini thotë se niveli i ndotjes nuk ka arritur në atë nivel sa për të shpallur masat e jashtëzakonshme.
“Unë nuk mendoj se qyteti i Shkupit është qyteti më i ndotur në botë, jemi të vetëdijshëm se niveli i ndotjes është i lartë, por nuk e tejkalon kufirin për t’i aktivizuar masat urgjente, megjithatë e dimë se duhet punuar për uljen e nivelit të ndotjes.”,- tha ministri i ambientit jetësor, Naser Nuredini.
OJQ “Eko Skopje”: Eliminimi i plastikës nuk e pastron ajrin sot
Si masë kundër ndotjes së ambientit, qeveria ndaloi furnizimin me pjata e gota të plastikës për një përdorim në të gjitha institucionet shtetërore. Sektori joqeveritar pranon se plastika për një përdorim është problem, por mospërdorimi i saj nuk pastron ajrin e ndotur.
“Qeset e plastikës janë problem, por jo për ajrin e ndotur. Me vendime të tilla nuk zgjidhet kjo çështje, prandaj do t’i rekomandoja qeverisë të mos merret me çështje periferike që mund të zgjidhen më lehtë dhe të mashtrohemi se po e zgjidhim problemin.”,- u shpreh Jovan Mazganski nga “Eko-Skopje”.
Nuredini: Qytetarët e industria, kujdes me çfarë ngrohen
Nuredini ndërkohë u bën apel amvisërive e industrisë të përdorin lëndë djegëse ekologjike.
“Apelojmë te industria, qytetarët dhe subjektet ekonomike të mbajnë llogari se me çka ngrohen. Ata duhet të shfrytëzojnë lëndë më të shëndetshme.”,- theksoi ministri i Ambientit Jetësor, Naser Nuredini.
Për të matur sa më mire nivelet e ndotjes në stacionet automatike të monitorimit të cilësisë së ajrit në Lisiçe, Gostivar, Kërçovë, Veles 2 dhe Kavadar janë instaluar instrumente të reja për matjen e grimcave PM10.
GYLTENE SINANI
