Maqedoni
Seminar albanologjik në USHT
25.09.2014 16:52
Në USHT, u bë hapja e punimeve të Seminarit të tetë Ndërkombëtar të Albanologjisë, ku marrin pjesë studiues nga institucionet e vendit, rajonit dhe ato ndërkombëtare...
Sesionet shkencore të gjuhësisë, letërsisë historisë dhe etnokulturës do të nxjerrin në pah punën shkencore të studiuesve të këtyre sferave.
“Ne jemi të vendosur që të arriturat tona shkencore t’i shprehim në gjuhën e drejtë dhe të kuptueshme, veprimtaria juaj shkencore e mundëson këtë synimin tonë, andaj punën tuaj të vazhdueshme në pasurimin e shkencës së albanologjisë e shohim si lehtësim në rrugën e përmbushjes së synimeve tona”- deklaroi rektori i USHT-së, Vullnet Ahmeti.
“Universitetet tona, viteve të fundit, thuajse në mënyrë të vazhdueshme organizojnë simpoziume, seminare e tribuna të tjera nga fushat e ndryshme, që tregon se edhe në këtë pjesë të Ballkanit shkenca është pjesë e vlerës së përgjithshme shoqërore. Duhet të mburremi dhe krenohemi bashkërisht që për një periudhë shumë të shkurtër Universiteti Shtetëror i Tetovës arrin që të mbajë seminare me tematika nga më të ndryshmet, që pasurojnë gjuhën shqipe, shkrimin dhe orientimin kulturor evropian”- u shpreh ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
“Ky seminar është i teti me radhë dhe mund të them se tanimë e ka strukturuar identitetin e tij, është futur në vazhdën e një tradite të bukur dhe dobiprurëse të shkencës së albanologjisë dhe është rritur në ngjarje të mirëfilltë shkencore”- tha drejtori i Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, Fehari Ramadani.
Aktivitetet e Seminarit Albanologjik do të zgjasin dy ditë, me ç’rast, do të trajtohen çështjet e gjuhës, kulturës dhe historisë shqiptare.
FLUTURA LATIFI
