Maqedoni
Fjalimi i fundvitit i presidentit, Pendarovski: Dialog, unitet dhe veting
18.12.2019 17:34
Presidenti i republikës, Stevo Pendarovski, gjatë fjalimit të fundvitit ftoi aktorët politikë në unitet për çështje me interes shtetëror....

Ndarjet në baza politike, etnike dhe brendaetnike si dhe ndasitë e reja në sfond nuk i shërbejnë zhvillimit të demokracisë, theksoi Pendarovski, duke ftuar politikën që në vend të konflikteve dhe ndasive të zhvillojnë dialogun.
“Në këtë kuptim, para meje, por edhe para ne të gjithëve, ka një punë enorme, sepse ndarjet midis qytetarëve me të cilët dikush ka punuar me vite, janë më të thella se kurrë më parë. Këtu, nuk flas për dallimet politike të cilat ekzistojnë legjitimisht në çdo demokraci, por, për shpenzimin e panevojshëm të energjisë dhe potencialit të shoqërisë që duhet të jenë të bashkuar rreth disa punëve të rëndësishme strategjike për të cilat do të insistoj dhe për të cilat do të propozoj modele për arritjen e një konsensusi më të gjerë shtetëror.”,- deklaroi kryetari i republikës, Stevo Pendarovski.
Përkrahje edhe për Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Sipas Pendarovskit, ligji i hartuar në letër duhet gjetur zbatim edhe në praktikë, dhe pikërisht kjo është vërrejtja e Komisionit të Venedikut, përkatësisht krijimi i kapaciteteve, theksoi Pendarovski.
“Komisioni i Venecias nuk thotë se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse nuk është aspak kompetent për këtë gjë. Gjithashtu, Komisioni nuk thotë se shqiptarëve u janë dhënë shumë të drejta, përkundrazi na thekson si shembull të një shteti që shkon edhe më larg se standardet e larta evropiane në këtë fushë.”,- u shpreh Pendarovski.
Pendarovski adresoi një sërë vërejtje për sistemin gjyqësor. Sipas tij, pritshmëritë e qytetarëve për drejtësi pas ndryshimit të pushtetit,nuk janë plotësuar. Gjyqësia ka dështuar të zbardh rastet për krim dhe korrupsion në nivele të larta.
“Shumë pak veta janë të bindur se drejtësia ka mbërritur. Në një sërë procesesh gjyqësore nuk pamë përfundim, disa prej rasteve më të mëdha juridike u vjetërsuan para syve tanë, kurse, krijuesi i regjimit i iku drejtësisë dhe nga shteti, ndërsa për këtë, asnjë institucion nuk tha publikisht se si është e mundur një gjë e tillë. Kulmi në gjendjet e këqija në sistemin gjyqësor ishte e ashtuquajtura afera “Reket”, ku midis të akuzuarve për vepra të rënda penale u gjend edhe personi i parë i institucionit i cili ishte formuar me një qëllim të vetëm – t’i ndjekë kriminelët.”,- theksoi Pendarovski.
Pendarovski propozon një proces vetingu në gjyqësi, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Sa i përket procesit eurointegrues, Pendarovski ftoi subjektet politike që të bashkëpunojnë në zbatimin e reformave të nevojshme para dhe pas marrjes së datës për negociata. Ndërkaq, nismat rajonale, nuk janë alternativë për integrimin në BE. “Minishengeni” nuk është i plotë nëse nuk i përfshinë të gjashtë vendet e rajonit, tha Pendarovski në fjalimin e fundvitit para deputetëve.
SHPËTIM NUREDINI
