Maqedoni
Anulohet debati për Kodin Zgjedhor, mbi 3 mijë amendamente të papërkthyera në shqip
18.12.2019 18:02
Komisioni Parlamentar për Sistem Politik anulon debatin për dy propozim ligjet për Kodin Zgjedhor....

Komisioni Parlamentar për Sistem Politik anulon debatin për dy propozim ligjet për Kodin Zgjedhor, të cilat parashikojnë një njësi zgjedhore dhe lista të hapura. Kjo vjen si pasojë e mospërkthimit në gjuhën shqipe dhe futjes në sistemin elektronik të kuvendit të 3.734 amendamenteve nga gjithsej 5 mijë e 899 që kanë dorëzuar BDI dhe VMRO-DPMNE.
Kiracovski: Përkthimi, gati javën tjetër
Kryetari i komisionit, Aleksandar Kiracovski, shpreson që amendamentet të jenë gati deri të premten tjetër, ndërkaq paraprakisht më 25 dhjetor të mbahet debat publik. Ekspertët do të tentojnë të bindin BDI-në dhe VMRO-në të tërheqin amendamentet.
“Obligim i imi është që unë të nis debatin mbi amendamentet. Sikurse në jetë ashtu edhe në politikë ka hapësirë për shpresë që ata të cilët kanë dorëzuar këto amendamente, me qëllimin e vetëm që të bllokojnë vetë parlamentin dhe këtë ide, se do të mund të ndërrojnë mendje dhe të njëjtat do t’i tërheqin.”,- tha deputeti i LSDM-së, Aleksandar Kiracovski.
Micevski: Lojë manovër, amendamentet të shqyrtohen
Sipas VMRO-DPMNE-së, rregullorja e kuvendit nuk lejon debat publik për ligje të propozuara në procedurë të shkurtuar. Debati mund të zhvillohet vetëm për amendamente.
“Kjo është një lojë manovër e kryetarit të Komisionit për Sistem Politik pasi që nëse dëshironin debat publik, rregullorja parashikon që kjo të ndodhë në procedurë të rregullt. Kur ligjet janë lëshuar në procedurë të shkurtuar, mënyra e vetme që të debatohet për të njëjtat është debati i amendamenteve. Do të shihni rregulloren se nuk jep hapësirë për debat publik në procedurë të shkurtuar.”,- u shpreh koordinatori i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do të pozicionohet varësisht vendimit të kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, për mbajtjen ose jo të debatit publik edhe pse më herët kanë refuzuar të tërheqin amendamentet. Në të njëjtën vijë janë shprehur edhe nga BDI.
MERAL ISMAILI
