Maqedoni

Ndërrimi i modelit zgjedhor, Grubi: Jo fitore për BDI-në kur humbin shqiptarët

18.12.2019 18:35

BDI nuk ka ndërmend të heq dorë as nga amendamentet e as nga kërkesa për veting gjithëpërfshirës...

Para fillimit të mbledhjes së kryesisë qendrore të integristëve në Reçicë, ku diskutohet rreth kongresit të së shtunës, deputeti, Artan Grubi, tha se BDI nuk do të mbështesë një model ku integristët do të fitonin, por do të humbnin shqiptarët.
 
Mohoi akuzat për koalicionim vazhdues me VMRO-në dhe sqaroi se edhe përkundër dallimeve në modelin zgjedhor, nuk ka asnjë problem në funksionimin e koalicionit qeverisës.
 
“Nuk ka asnjë përplasje, ne jemi në koalicion funksional dhe jemi duke realizuar marrëveshjen e koalicionit me të cilën kemi hyrë bashkërisht. Ne kemi mosmarrëveshje për disa prej politikave partiake, siç është propozimi i disa partive të vogla që mbështeten nga LSDM për ndryshimin e modelit zgjedhor në këto zgjedhje, për arsyeje se ajo nuk është qëndrimi ynë, është qëndrim i këtyre partive të vogla, të cilën e mbështet LSDM dhe nuk është një program i përbashkët për të cilin jemi marrë vesh, për të qeverisur bashkë. Nuk është program shtetëror, por është iniciativë partiake për kalkulimet e tyre për zgjedhjet e 12 prillit. Ne vlerësojmë se si BDI me një njësi zgjedhore fitojmë minimum më shumë se 2 deputetë, më tepër se sa që ka tash dhe do të fitojmë më shumë se 50% të deputetëve shqiptarë të cilët do zgjidhen ne kuvendin e RMV-së. Por, mbajeni mend, në 2011 kemi zgjedhur 29 deputetë, në 2014 - 27 deputetë, sot i kemi 20 deputetë. Kush i humbi ata deputetë, nuk i humbi BDI, por i humbën shqiptarët.”,- tha Artan Grubi nga BDI.
 
BELINDA KOKA ADEMI