Maqedoni

Fjalimi vjetor i presidentit, VMRO e LSDM me vlerësime të kundërta. Partitë shqiptare e cilësojnë si korrekt

18.12.2019 19:11

Fjalimi i presidentit Pendarovski në Kuvend është komentuar nga subjektet politike.

Për VMRO-DPMNE-në, Pendarovski nuk arriti të tregojë asgjë të re përpos që shtoi dallimet dhe ndarjet në shoqëri.
 
Sipas opozitës maqedonase, fjalimi i presidentit përplot me fjalë boshe, më shumë i ngjante fjalimit të një zëdhënësi qeveritar sesa i një kryetar shteti. 
 
“Z. Pendarovski si duket akoma nuk ka dalë nga këpucët e LSDM-së dhe sot në fjalimin e tij në vend që të ofrojë ndërtimin e urave, pra atë të cilën vetë ai e ka potencuar, arriti vetëm që këto ndarje në shoqërinë tonë t’i bëjë edhe më të theksuara. Shihet qartë se ai ndjehet më mirë kur mbron  pozicionet e LSDM-së dhe kur kryen detyrën zëdhënës i Qeverisë dhe i LSDM-së.”,- tha Ilia Dimovski nga VMRO. 
 
Nga LSDM vlerësojnë të kundërtën. Sipas tyre, ky ishte fjalimi i parë pas plotë 10 viteve i një presidenti mbipartiak.
 
“Pas 10 viteve fjalime të një presidenti partiak si Gjorgi Ivanov, i cili promovonte politikat e regjimit dhe izolimit, sot patëm një fjalim të një presidenti mbipartiak.”,- tha Hari Lokvenec nga LSDM.
 
Partitë shqiptare e cilësuan korrekt fjalimin e Presidentit, sidomos në vlerësimin për rekomandimet e Komisionit të Venecias. 
 
“Unë do të përshëndetja konstatimet e presidentit se edhe pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe apelin tek institucionet për ta zbatuar ligjin.”,- tha deputeti i ASh-së, Syrija Rashidi.
 
“Ishte një fjalim koherent dhe balancues, ajo për të cilën kishte me qenë si sugjerim nga ana jonë për presidentin e shtetit, është ajo për të cilën pati një qasje presidenti rreth zbatimit të Ligjit për Gjuhët. Edhe ne vlerësojmë se Raporti i Komisionit të Venecias është i ngutshëm për faktin se akoma pa filluar të zbatohet në tërësi Ligji për Përdorimin e Gjuhëve janë bërë vlerësime të cilat sipas mendimit tonë janë të njëanshme.”,- theksoi deputeti i BDI-së, Rexhail Ismaili.
 
“Fjalimin e vlerësoj se ishte i ekuilibruar, preku edhe qeverisjes e kaluar për të gjitha ato të meta të cilat i ka pasur në funksionimin e saj, por përmendi edhe shumë afera të kësaj qeverisje dhe të metave të cilat i kemi gjatë kësaj periudhe.”,- tha deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
 
Fjalimin e parë të fundvitit të presidentit Pendarovski e ndoqën me mjaft vëmendje edhe përfaqësues të korit diplomatik të akredituar në vend.   
 
FITIM KRYEZIU