Maqedoni
Numër i madh i vdekjeve nga sëmundjet kardiovaskulare
25.09.2014 17:10
Me moton “Jeto, puno, luaj, bashkangjitu”, Instituti për Shëndet Publik, Qendra për Shëndet Publik dhe Shtëpia e Shëndetit në Shkup...

Me moton “Jeto, puno, luaj, bashkangjitu”, Instituti për Shëndet Publik, Qendra për Shëndet Publik dhe Shtëpia e Shëndetit në Shkup edhe këtë vit do të shënojnë “Ditën botërore të zemrës”.
Me këtë rast, u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që të realizojnë kontrolle mjekësore për vete dhe fëmijët, që të zvogëlohet rreziku nga sëmundjet e zemrës. Në Maqedoni, sëmundjet kardiovaskulare janë shkaku më i zakonshëm i vdekjes, pasi nga 19 mijë vdekje në vit, 11 mijë janë nga këto sëmundje.
“Afërsisht 57 milionë vdekje çdo vit në gjithë botën janë të shkaktuara kryesisht nga sëmundjet jongjitëse ose sëmundjet cirkulatore, në të cilat bëjnë pjesë sëmundjet ishiemike, cerebro-vaskulare, infarktet akute të miokardit dhe të tjerave organe të trurit, si dhe sëmundjet e enëve të gjakut. Ende në rang të parë për sa i përket rangimit të shkaqeve të vdekshmërisë sëmundjet kardiovaskulare si në RM ashtu edhe në të gjithë botën, ende radhiten në vend të parë”- deklaroi Vjosa Recica nga Instituti për Shëndet Publik, Sektori për të Dhëna Shëndetësore.
“Ne, si Qendër e Shëndetit Publik të Shkupit, me aktivitetet tona të rregullta, që i mbajmë nëpër shkollat fillore dhe të mesme, kemi shumë sukses në promovimin e shëndetësisë në regjion që e mbulon qendra jonë, d. m. th. këtu i kemi 17 komuna, që janë 10 komuna të qytetit dhe 7 të fshatrave. Këtë ditë do ta shënojmë me promovim, me aktivitete fizike nëpërmjet organizatës sonë, me shpërndarje të broshurave etj”- tha përfaqësuesja nga Qendra për Shëndet Publik, Florie Hamidi.
Nga Shtëpia e Shëndetit në Shkup, thonë se për tu dalë në ndihmë qytetarëve realizojnë kontrolle preventive pa pagesë.
“Shtëpia e Shëndetit Publik, tre vjet radhazi, në periudhën e verës ndërmerr masa preventive për mbrojtjen nga temperaturat e larta. Dy vjet radhazi, në çdo 6 muaj realizojmë kontrolle preventive pa pagesë, bashkë me Institutin për Tuberkulozë në Shkup, në territorin e vendit, në pjesët rurale, gjatë vikendit”- u shpreh drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Shkup, Tanja Vaeska Vuckoviq.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
