Maqedoni

Ivanov: Prolongimi i zgjerimit të BE-SË, rrezik për stabilitetin

25.09.2014 17:17

Presidenti, Gjorge Ivanov, në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të thirrur nga presidenti amerikan, Barak Obama...

Presidenti, Gjorge Ivanov, në fjalimin e tij në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të thirrur nga presidenti amerikan, Barak Obama, për të diskutuar lidhur me rrezikun nga terrorizmi, e ka lidhur ngecjen e integrimeve me sigurinë në rajon.
 
Duke u bërë thirrje SHBA-ve dhe BE-së që të mos lejojnë krijimin e vakuumit në hapësirën ballkanike, Ivanov ka theksuar se Bashkimi Evropian nuk guxon të harrojë se Ballkani është pjesë e Evropës dhe duke e shtyrë zgjerimin krijon problem në territorin e vet.
 
Ndërsa për ngecjen e integrimit të Maqedonisë, Ivanov e hodhi fajin te Greqia, e cila, siç tha ai, e bllokon vendin jo vetëm  për shkak të emrit të shtetit, por mohon edhe gjuhën dhe identitetin maqedonas.  
 
“Me bllokadën jolegale të anëtarësimit të merituar të Republikës së Maqedonisë në NATO, bëhet bllokim serioz i paqes, sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit. Fillimisht ishim të bllokuar në Kombet e Bashkuara për shkak të emrit të shtetit, tani jemi të bllokuar në NATO dhe BE jo vetëm për shkak të emrit, por edhe për shkak të identitetit dhe gjuhës së qytetarëve tanë. Bllokimi është rezultat i mosrespektimit të rezolutave 817 dhe 845 nga viti 1993, të miratuar pikërisht nga ky Këshill i Kombeve të Bashkuara. Shkelja e marrëveshjes së përkohshme nga viti 1995, e deponuar në këto Kombe të Bashkuara dhe mosrespektimi i aktgjykimit të 5 dhjetorit të vitit 2011, e miratuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, një nga organet kyçe të Kombeve të Bashkuara. Këto janë arsyet pse 21 vjet nuk mund të vijmë deri te zgjidhja e përbashkët e pranueshme, por njëkohësisht këto janë arsyet se pse në rajonin tonë krijohet ambient i pasigurisë dhe jostabilitetit”- deklaroi kryetari i RM-së, Gjorge Ivanov.
 
Sipas presidentit, Ivanov, Këshilli i Sigurimit mundet dhe duhet të kontribuojë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan, duke respektuar edhe rezolutat e miratuara nga vet këshilli. 
 
NAIM SINANI