Maqedoni

Banka KfW 100 milion euro kredi dhe grande, mbështetje bujqësisë dhe konvikte studentore

19.12.2019 15:01

Me mbështetjen gjermane prej 100 milion eurosh do të rinovohen katër sisteme të ujitjes së 14.000 hektarëve rreth pellgut të lumit Vardar...

Me mbështetjen gjermane prej 100 milion eurosh do të rinovohen katër sisteme të ujitjes së 14.000 hektarëve rreth pellgut të lumit Vardar, do të ndërtohen hidrocentrale të vogla në hidrosistemin "Lisiçe" dhe do të rinovohen shtatë konvikte të studentëve - në Shkup, Ohër, Shtip, Prilep dhe Manastir, sipas standardeve për efikasitet energjetik.
 
Marrëveshjet e huas dhe grandeve me Bankën KfW të Gjermanisë u nënshkrua nga ministrat e Financave, Arsimit dhe Bujqësisë.
 
“E ardhmja e secilit vend varet nga arsimi i suksesshëm të cilin nuk e përbëjnë vetëm profesorët dhe programi arsimor, por edhe kushtet në të cilat studentët jetojnë dhe mësojnë. Marrëveshja e efikasitetit energjetik të konvikteve hap dritare të re dhe mundësi, ndërsa programi për ujitjen do të tregojë rezultate dhe do të ketë ndikim të rëndësishëm mbi ekonominë në rajonin ku do të zbatohet.”,- tha Pablo Obrador nga Banka KfW.
 
“Të dy projektet kanë të bëjnë me përparësitë më të rëndësishme: Ndryshimet klimatike, energjinë e rinovueshme dhe investimin në kapitalin njerëzor.”,- theksoi ministrja e Financave, Nina Angellova.
 
“Pas analizës gjithëpërfshirëse të situatës në konviktet e studentëve këtë vit dhe pasi morëm në konsideratë opsionet e mundshme, dolëm me një zgjidhje konkrete që fillon të zbatohet nga viti 2020, ndërsa sipas planeve dhe parashikimeve, ajo duhet të përfundojë plotësisht në vitin 2024.”,- u shpreh ministri i Arsimit,  Arbër Ademi.                                                                 
                             
“Me këtë investim, përveç nxitjes së ndjeshme të rritjes në bujqësi, do të përmirësojë edhe standardet, si dhe kushtet e punës së fermerëve, do të mundësojë mbajtjen e të rinjve në sektorin agro-bujqësor. Ky është vetëm një segment i luftës sonë kundër ndryshimeve klimatike.”,- u shpreh ministri i Bujqësisë, Trajan Dimkovski.
 
Programi i ujitjes është parashikuar në 110,7 milionë euro, 27,9 milionë euro prej të cilave janë para shtetërore, ndërsa 80 milionë euro janë kredi KfW, me një periudhë shlyerjeje prej 15 vjetëve dhe një grejs periudhë pesëvjeçare.
 
Për më tepër, banka jep grand prej 2,8 milion euro. Ndërsa kredia për konviktet studentore arrin në 20 milionë euro dhe një grand prej 4,7 milionë eurosh. 
 
REJHANE BUSHI METAJ