Maqedoni
Komiteti parlamentar RMV-BE: Negociatat për anëtarësim në mars të vitit 2020. Zaev: Shumica e vendeve të bindura se RMV duhet t’i fillonte bisedimet. Varheji: RMV të vazhdojë reformat në drejtësi
19.12.2019 16:22
Eurodeputetët, anëtarë të Komitetit të përzier mes RMV-së dhe PE-së...

Eurodeputetët, anëtarë të Komitetit të përzier mes RMV-së dhe PE-së, kërkojnë të sillet vendim për fillimin e bisedimeve në mars, gjegjësisht para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend.
Kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian në Komitet, Andreas Shieder, ka theksuar se për momentin BE ka rol historik që t’u lejojë brezave të rinj të Maqedonisë së Veriut të bëhen anëtarë të plotfuqishëm të BE-së. Deputetët e RMV-së shpresojnë se në takimin e radhës të komitetit, RMV do të ketë filluar bisedimet me BE-në.
“Ndjehej miqësia e kolegëve tanë nga BE. Ata duan që të fillojnë bisedimet sa më herët dhe kjo është thënë në rekomandimet. Këto rekomandime do të përcillen në institucionet e BE-së dhe tek ne, dhe shpresojmë sa më shpejt të implementohen.”,- tha bashkëudhëheqësja e Komitetit, Sonja Mirakovska.
Hapjen e bisedimeve në pranverë e ka kërkuar edhe kryeministri, Zoran Zaev, në fjalimin e tij në Samitin e Iniciativës Evropiane Qendrore që u mbajt në Romë.
“Shumica e vendeve janë të bindur se vendi ynë duhet t’i fillonte bisedimet me BE-në, si mirënjohje për përpjekjet e realizuara dhe rezultatet e reformave. Ideja për metodologji të re arsyetohet vetëm nëse procesi mbetet më efektiv, më i besueshëm dhe nëse prodhon fitime për vendet kandidate për anëtarësim.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Këtë kërkesë Zaev e ka parashtruar edhe në takim me eurokomisionerin për zgjerim, Oliver Varheji. Ky i fundit ka kërkuar realizimin e reformave, sidomos në gjyqësor, që rrjedhimisht paraqet indikatorë në dhënien e datës për bisedime.
“Inkurajoj RMV-në të vazhdojë me të gjitha reformat e nevojshme në drejtësi dhe të luftojë kundër korrupsionit në mënyrë që të arrihet një vendim pozitiv për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE.”,- theksoi Varheji.
Ndërkohë, Zaev ka ftuar BE-në që sa më shpejt të gjendet konsensusi për principet dhe elementet e metodologjisë së re mes vendeve të BE-së, që, sipas tij, kjo i hap rrugën dhënies së datës për bisedime sa më herët.
Fillimi i negociatave në mars krijon kushte për dinamikë më të shpejtë të proceseve që zhvillon shteti jonë, tha kryeministri, Zoran Zaev.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
