Maqedoni

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Xhaferi: Rregullorja nuk parashikon debat publik. Kiracovski: Debat qoftë edhe në korridor. Ibrahim: Të përfaqësohen bashkësitë e vogla. Dimitriev: Vendimet të merren pas zgjedhjeve

19.12.2019 16:50

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, hedh poshtë mundësinë e hapjes së debatit publik për ndryshimin e Kodit Zgjedhor...

Xhaferi thotë se rregullorja e parlamentit nuk parashikon debat publik për një ligj të propozuar me procedurë të shkurtuar. Sipas tij, debati do të ishte i mundur nëse në propozimin për miratimin e ligjit do të kishte kërkesë për debat publik dhe e njëjta të ishte votuar nga shumica parlamentare. 
 
“Nëse një projekt ligj është në procedurë të shkurtuar, i cili është kuptimi i stërzgjatjes së debatit eventual publik që parlamenti duhet të vendosë që në debat publik duhet të shkojë ai ligj dhe nga ana tjetër ka vendosur të shkojë me procedurë të shkurtuar. Janë sende për të cilat procedurat dhe praktikat parlamentare i kanë paraparë këto rregulla dhe nuk mund të lejohet vullnet i këtillë i kryetarëve të komisioneve kur t’iu kujtohet për një çështje, ata të vlerësojnë në mënyrë individuale.”,- tha kryeparlamentari, Talat Xhaferi.         
                                                                  
Ka reaguar kryetari i Komisionit për Sistem Politik, Aleksandar Kiracovski, i cili ditë më parë paralajmëroi debat publik më 25 dhjetor që të tërhiqen afër 6 mijë amendamente të dorëzuara nga BDI dhe VMRO-DPMNE.
 
Kiracovski ka shkruar se debati publik do të mbahet qoftë edhe në korridor të kuvendit, pasi nga praktikat e deritanishme për shumë ligje me procedurë të shkurtuar janë organizuar debate publike. Nga Lëvizja turke ftojnë për konstruktivitet.                                               
 
“Dua që të inkurajoj VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në dhe subjektet e tjera politike, në këtë periudhë të normalizimit të shtetit, që të mundësojnë përfaqësim të barabartë edhe të bashkësive të tjera në kuvend. Sa më herët aq më mirë për qytetarët tonë.”,- tha deputeti i Partisë Lëvizja Turke, Enes Ibrahim.         
                 
Ndërkohë, deputeti, Emil Dimitriev, nga VMRO-DPMNE ka propozuar që vendimi të merret pas zgjedhjeve.       
                                                           
“Më së miri është që zgjedhjet të realizohen dhe përbërja e re parlamentare t’u qaset këtyre sfidave ashtu siç duhet në një periudhë të qetë, pasi që në këtë periudhë opozita ishte konstruktive për t’u marrë vendime.”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Emil Dimitriev.     
                                                       
Nga gjitha amendamentet e dorëzuara për përkthim në gjuhën shqipe kanë mbetur të përkthehen edhe 3 mijë e 734 amendamente e të cilat kanë të bëjnë në ndryshimet ligjore për Kodin Zgjedhor ku parashikohet një njësi zgjedhore dhe lista të hapura.
 
MERAL ISMAILI