Maqedoni
Çair, vetura goditi tri vajza që ktheheshin nga shkolla
19.12.2019 17:22
Tri vajza të moshës 12 dhe 13 vjeçare, të cilat po ktheheshin nga shkolla, kanë përfunduar në spital...

Tri vajza të moshës 12 dhe 13 vjeçare, të cilat po ktheheshin nga shkolla, kanë përfunduar në spital, pasi janë goditur nga një veturë në rrugën “Hristijan Todorovski Karposh”, në lagjen e Çairit, në Shkup.
Nga spitali informuan se vajzat janë në gjendje stabile. Por, mjekët informojnë se për njërën prej vajzave nevojitet ndërhyrje kirurgjikale.
“Njëra nga të lënduarat tashmë është hospitalizuar pranë njësisë për mjekim intensiv për anestezion, reanimacion dhe mjekim intensiv, ndërsa dy të tjerat janë marrë në vëzhgim në Klinikën për Mjekim të Fëmijëve. Të tre pacientet për momentin janë në gjendje stabile. Bëhet fjalë për lëndime të ekstremiteteve, thyerje të ekstremiteteve që nënkupton se në mjekimin e mëtejshëm, me siguri do të ketë nevojë edhe për ndërhyrje kirurgjikale. Njëra nga të lënduarat është me lëndime më të lehta dhe është në observim të sipër dhe pritet që në orët në vijim edhe mund të lëshohet në mjekim shtëpiak.”,- tha mjeku, Alber Lleshi.
Të tronditur nga kjo ngjarje, banorët e lagjes shprehin revoltën. Rruga “Hristijan Todorovski Karposh”, sipas tyre, është shndërruar në pistë të veturave të shpejta, kurse thonë se rastet e tilla janë të shpeshta në këtë rrugë. Vendosja e një semafori në këtë rrugë është e patjetërsueshme.
“Shpejtësia, siç po e shihni në vizëbardha, i ka goditur. Këtu nuk respektohet asnjë ligj nuk respektohet. Shpejtësi e madhe këtu. Çdo javë këtu ka ndeshje. Shumë herë kemi kërkuar të vendosen semaforë. Përndryshe pleqtë në treg nuk mund të shkojnë, fëmijët nuk mund t’i nxjerrim në park.”,- tha një qytetar.
“Nesër këtu rrugën e bllokojmë deri sa të vendosen semaforët. Jo 24 orë, deri sa të vendosen, ne nuk e hapim rrugën nesër prej në orën 12.”,- u shpreh një qytetar.
Vozitësi i taksitë është dërguar në stacion policor. Para disa muajve në po të njëjtën rrugë është goditur nga vetura një grua e cila po ashtu përfundoi në spital.
ERSAN PAJAZITI
