Maqedoni

Gjykimi “TNT”, shtyhet seanca, dënohen me nga 2000 euro avokatët për mungesë

19.12.2019 17:40

Shtyhet për nesër seanca për rastin “TNT” për shkak të mungesës së avokatëve Boro Tasevski, Merxhan Dauti dhe Donço Nakov...

Mospraninë e avokatëve, Gjykata e vlerësoi si ofendim të ashpër dhe zvarritje të procedurës, ndërsa të akuzuarve Gjykata u ka caktuar avokatë tjerë me detyrë zyrtare.
 
Avokatët Dauti dhe Nakov nuk ishin të pranishëm në seancën gjyqësore, për shkak të obligimeve në gjykime të tjera, ndërsa avokati Tasevski, për shkak të autorizimit të anuluar, por Gjykata për mosprezencën tre avokatët i dënonim me nga dy mijë euro për zgjatje të procedurës.
 
I akuzuari, Toni Trajkovski, në fillim të seancës e informoi Gjykatën se e revokon autorizimin e tij. 
 
“Nuk isha i paralajmëruar nga avokati im se për më pak se 13 orë pas përfundimit të seancës së djeshme gjyqësore do të duhet të japë mbrojtjen time. Për shkak të gjendjes së tillë menjëherë pas seancës së djeshme gjyqësore ia mora autorizimin Boro Tasevskit dhe ju njoftoj se avokati im i ri është Jovica Strashevski”,- deklaroi Trajkovski. 
 
Gjykatësi, Ognen Stavrev, e njoftoi të akuzuarin Trajkovski se ka të drejtë që ta anulojë autorizimin, por avokati, Boro Tasevski, ligjërisht duhet të vazhdojë ta përfaqësojë në 15 ditë e ardhshme. Prokurori publik, Burim Rustemi, veprimin e tillë të avokatëve të të akuzuarve e vlerësoi si joserioz. 
 
“Unë jam i bindur se ky anulim i autorizimit është me qëllim që të zvarritet procedura dhe vlerësoj se gjykata nuk duhet t’i pranojë lojërat e tilla”,- tha Rustemi.
 
Gjykimi “TNT” mbahet për rrënimin e kompleksit “Kosmos” të investitorit Fiat Canovski. I akuzuari, Mile Janakievski, kërkoi nga Gjykata që të merren në pyetje edhe Fiat Canovski dhe Adrian Amzovski, por gjykatësi Stavrev tha se kjo nuk është e mundur, sepse ata tashmë kanë marrë pjesë në seancë për këtë gjykim.
 
Për këtë vepër në mungesë gjykohet edhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU