Kulturë
Të premten fillon festivali i teatrit në Tetovë
25.09.2014 17:20
Të premten, në qytetin rrëzë Sharrit do të fillojë Festivali i Teatrit në Tetovë, që organizohet për herë të tretë nga ana e Teatrit të Tetovës...

Këtë vit, nga teatrot jashtë vendit do të merr pjesë vetëm Kosova, kurse Shqipëria edhe përkrah ftesës që i është bërë, nuk do të jetë e pranishme, kështu ka bërë të ditur drejtori i festivalit, Valmir Aziri, në një takim me gazetarët.
Ai, po ashtu vuri në dukje se këtë vit Ministria e Kulturës ka ndarë 1 milionë denarë dhe ka dyfishuar mjetet për këtë festival.
“Në këtë festival do të marrin pjesë gjashtë shfaqje, të cilat i ka seleksionuar Bajrush Mjaku. Vlen të theksohet se këtë vit Ministria e Kulturës ka dyfishuar buxhetin për këtë festival dhe shpresoj se me punën që kemi bërë, publiku do të jetë i kënaqur. Vitin e kaluar ishin ndarë 450 mijë denarë për këtë festival, kurse këtë vit janë 1 milion denarë. Me tendencë që vitin e ardhshëm të rritet buxheti, ndërsa edhe Komuna e Tetovës ka ndarë mjete për këtë festival”-deklaroi drejtori i Teatrit të Tetovës, Valmir Aziri.
Sikurse vitin e kaluar edhe këtë vit përzgjedhjen e shfaqjeve pjesëmarrëse e ka bërë regjisori i njohur, Bajrush Mjaku.
“Ideja ka qenë që ai teatër që merr më shumë çmime, vitin e ardhshëm të vjen me shfaqje dhe me produksion të vetin dhe ta hapin festivalin, gjë që këtë vit nuk ndodhi, pasi që vitin e kaluar çmimin e festivalit e fitoi shfaqja “Mbreti Edip”, në produksion të Teatrit Nacional të Tiranës dhe këtë vit ky teatër nuk e pa të arsyeshme që të vijë këtë vit dhe unë u bëra ftesë që të vijnë me shfaqjen “Ëndrra e një nate vere”, që është një komedi nga Shekspiri, nga një regjisor amerikan dhe kjo shfaqje ka vend në teatër dhe do të ishte mirë që të ishte në kuadër të këtij festivali. Në fillim jemi marrë vesh që ky festival të merr fizionominë e një festivali të dramës nacionale, ku autori do të kishte përparësi para së gjithash nga vendi prej nga vjen shfaqja”- u shpreh regjisori, Bajrush Mjaku.
Festivali do të mbahet 6 net me radhë, ndërsa pjesa dërmuese e teatrove që do të marrin pjesë në këtë festival janë nga Maqedonia.
MIFTAR EMINI
