Maqedoni
“Civil”: Kemi fushatë të ashpër parazgjedhore. Ndryshimi i modelit zgjedhor, nismë joserioze
19.12.2019 18:23
Nisma për ndryshimin e modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore për një afat të shkurtër kohor...

Nisma për ndryshimin e modelit zgjedhor në një njësi zgjedhore për një afat të shkurtër kohor nuk është ide e rekomandueshme.
Kështu konsideron OJQ “Civil”, e cila potencohet se standardet ndërkombëtare thonë se Kodi Zgjedhor nuk duhet ndryshuar 6 muaj para zgjedhjeve.
Problematika tjera janë edhe financimi i fushatës zgjedhore, Qeveria e Përzhinës e cila u tregua si jofunksionale dhe një numër i madh i parregullsive parazgjedhore që janë konstatuar nga vëzhgimi i “Civil” në teren.
“Nuk mundeni ju të ndryshoni modelin zgjedhor për më pak se 6 muaj para zgjedhjeve, në situatë kur kemi kod të keq zgjedhor. Lista zgjedhore në të cilat qytetarët nuk besojnë dhe në këtë mënyrë shkelen të drejtat e qytetarëve. Po ashtu edhe një numër të madh parregullsish si financimi i partive politike, numri i vendvotimeve e shumë parregullsive tjera dhe ne merremi me propozimin e një njësie zgjedhore, në kohën kur edhe 11 mijë amendamente janë dorëzuar dhe unë konsideroj se kjo nismë është skajshmërisht joserioze.”,- deklaroi Xhabir Deralla nga “Civil”.
Deralla më tej shtoi se “Civil” është ftuar nga Deskovska për të marrë pjesë në grupin punues për ndryshime zgjedhore, i cili për momentin mbahet me dyer të mbyllura. Sipas tij, “Civil” ofron zgjidhje për shumë probleme dhe reagon në kohë për të njëjtat.
Në njësinë e gjashtë zgjedhore numri i votuesve është më i madh dhe kjo është diskriminim që ul kredibilitetin e çdo procesi zgjedhor.
“Civil” ka reaguar për këtë padrejtësi, por edhe për votimin e diasporës ku shpenzohen shifra marramendëse.
“Civil” po ashtu konsideron se fushata zgjedhore është e ashpër, mbizotërojnë incidentet, gjuha e urrejtjes, lajmet e rrejshme të plasuara edhe nga funksionarë partiakë.
Po ashtu keqpërdoren edhe protestat e qytetarëve, siç është protesta e bujqve, bojkoti i nesërm i shkollave të mesme për ajrin e ndotur, si dhe keqpërdorimi i tifozëve ku ka infiltrim të partive politike.
Nuk përjashtohet edhe mundësia për përhapje të nacionalizmit dhe incidente në periudhën që pason, konsideron “Civil”.
FLUTURA LATIFI
