Maqedoni

Policitë e RMV-së dhe Kosovës, stërvitje të përbashkët

19.12.2019 19:13

Forcat policore të Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës “matën” aftësitë e tyre policore për kapjen dhe ndalimin...

Forcat policore të Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës “matën” aftësitë e tyre policore për kapjen dhe ndalimin e sa më të suksesshëm të grupeve kriminale që veprojnë në brezin kufitar të këtyre dy vendeve.
 
Ushtrimi i përbashkët operativo-taktik i quajtur “Potera-Ndjekja” u realizua në zonën kufitare Glloboçicë, qëllim i të cilit është që të dyja vendet të dëshmojnë gatishmëri dhe të ofrojnë siguri më të madhe kufitare në të ardhmen.
 
Nuk ka dyshim se Kosova dhe Maqedonia e Veriut janë të përgatitura mirë dhe i plotësojnë kriteret e KE-së për ruajtjen e sigurisë së kufijve, konstatuan njëzëshëm ministrat e brendshëm të të dyja vendeve, Oliver Spasovski dhe Ekrem Mustafa.
 
“Dua të shpreh kënaqësinë time që sot kishim rastin të dëshmojmë këtë përgatitje taktike të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës. Kjo stërvitje e përbashkët dërgon mesazh të qartë se dy forcat policore tregojnë gatishmëri të lartë për ballafaqimin e çdo lloj sulmi në kufi. Në këtë mënyrë garantojmë stabilitetin e dy shteteve. Ne dëshmuam se jemi thellë të përgatitur dhe jemi faktor i stabilitetit në këtë rajon.”,- tha ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.
 
“Ushtrimet e tilla dëshmojnë vullnetin dhe përgatitjet profesionale të të dy policive për të ruajtur kufirin dhe për të bashkëpunuar për ruajtjen e rendit qetësisë së dy shteteve dhe të gjithë rajoni. Ushtrimi ka qenë shumë mirë i përgatitur dhe ka treguar një profesionalizëm.”,- tha ministri i brendshëm të Kosovës, Ekrem Mustafa.
 
Policët e të dyja vendeve pjesëmarrës në këtë ushtrim operativ morën mirënjohje dhe njëherit u nënshkruan dy marrëveshje mes të dyja vendeve që ishin rekomandime të KE-së, Marrëveshja për bashkëpunim policor dhe për transportin hekurudhor.
 
Spasovski njëherit dënoi ashpër sulmin e shtetasve të Kosovës nga ana e “Komitëve” dhe premtoi se sulmuesit do të sillen para organeve të drejtësisë.
 
REXHEP QAMILI