Botë

Nis puna e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion

19.12.2019 19:57

Nga sot, në Shqipëri ka nisur puna e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, SPAK...

8 anëtarët e zgjedhur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë u betuan para presidentit se do t’i qëndrojnë besnikë Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë.
 
Struktura e SPAK parashikon që do të hetojë akuzat penale kundër presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit, kryeministrit, ministrat, kryetarët e bashkive, deputetët, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë dhe të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë.
 
Kësaj strukture nuk do t’i shpëtojnë as ish-zyrtarët. Nisja e funksionimit të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion menjëherë pas betimit në Presidencë të 8 prokurorëve u përshëndet nga selia diplomatike e SHBA-së.
 
Në reagimin e saj ambasada thekson se nisur nga sot Shqipëria ka një organ që do të hetojë të paprekshmit, ndërsa garantoi mbështetjen amerikane. Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, u shpreh ngritja e SPAK është një hap para në zbatimin e reformës në drejtësi.
 
Edhe Partia Demokratike e përshëndeti fillimin e punës së SPAK-ut u shpreh se e mbështet funksionimin e pavarur të kësaj strukture.
 
Ndërkohë dje në Këshillin e Lartë të Prokurorisë 3 prej prokurorëve të SPAK u dëgjuan si pretendentë për të marrë kreun e këtij organi, post të cilin e mori prokurori, Arben Kraja.
 
LULJETA NDOKA