Botë

Putin: Akuzat ndaj Trumpit "të ëndërruara"

19.12.2019 20:55

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar në krah presidentit amerikan Trump...

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar në krah presidentit amerikan Trump, duke thënë se procesi i shkarkimit ndaj presidentit amerikan ishte i bazuar në akuza të "ëndërruara".

Duke folur në Moskë, në konferencën e tij vjetore për mediat, Putin tha se pret që Trump të mbetet në detyrë, pavarësisht se Dhoma e Përfaqësuesve votoi pro akuzave ndaj tij.

“Procesi ende duhet të kalojë në Senat ku republikanët me sa di unë e kanë shumicën", tha Putin.

Sipas presidentit rus, "partia që humbi zgjedhjet po e vazhdon luftën me mënyra të tjera".

Dhoma, e kontrolluar nga demokratët, votoi për dy akuza kundër tij: abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Vendimi përfundimtar, për shkarkimin ose jo të presidentit Trump, pritet të merret në Senat.

Putin e krahasoi procesin për shkarkimin e Trumpit, me hetimet e mëparshme ndaj presidentit amerikan, lidhur me pretendimet për bashkëpunim me Rusinë, për të cilat Putin tha se ishin të pabazuara.

Në konferencën për media të cilën e mbulojnë 1,895 gazetarë, Putin tha gjithashtu se Rusia është e gatshme të dakordohet për një traktat të ri të armëve me Shtetet e Bashkuara, por se nuk ka pasur asnjë përgjigje deri më tani, për propozimet ruse, lidhur me këtë çështje.

Konferenca televizive është një ngjarje e rregullt e Putinit, të cilën ai e shfrytëzon për të lartësuar imazhin e tij, për të siguruar rusët se ata janë në duar të mira dhe për t’iu dërguar sinjale Shteteve të Bashkuara dhe pjesës tjetër të botës.