Ekonomi

Buxheti për vitin 2015, nis filtrin parlamentar

25.09.2014 17:41

Komisioni për Financa dhe Buxhet, filloi debatin për projektbuxhetin për vitin 2015...

Sipas propozimit, të hyrat janë projektuar në 163 miliardë e 280 milionë denarë, ndërsa të dalat në 181 miliardë e 777 milionë denarë, përkatësisht deficit buxhetor planifikohet të jetë 18 miliardë e 497 milionë denarë, ose 3,5% të BPV-së.
 
Sipas ministrit të Financave, Zoran Stavrevski edhe me buxhetin për vitin 2015 vazhdon mbështetja e ekonomisë dhe standardi i qytetarëve. Kjo bëhet përmes ndarjes së një shume të konsiderueshme për investime kapitale dhe përmes rritjes së rrogave, pensioneve dhe kompensimeve sociale.  
 
Projektbuxheti për vitin 2015 ka edhe mbështetjen e BDI-së. Deputeti nga radhët e kësaj partie, Rexhail Xhemaili, tha se projektbuxheti është pjesë e marrëveshjes mes partnerëve të koalicionit qeveritar dhe si i tillë gëzon mbështetjen e grupit parlamentar të BDI-së.
 
“Unë, si deputet i grupit parlamentar dhe grupi parlamentar i BDI-së e përkrah. Edhe dy buxhet për vitin 2015 është si rezultat i raporteve në shoqërinë tonë. Është rezultat i marrëveshjeve mes partnerëve të koalicionit dhe buron nga marrëveshja politike e këtij viti, për harmonizim të programeve ekonomike dhe politike të të dy partnerëve të koalicionit qeveritar”- deklaroi deputeti i BDI-së, Rexhail Xhemaili.
 
Sipas Xhemailit edhe me këtë buxhet shqiptarët më së shumti përfitojnë nga bllok-dodacionet.
 
“Bllok-dodacionet kanë një shpërndarje më të mirë të mundshme në këtë vend dhe vetëm në komunat të cilat udhëhiqen nga kuadro të BDI-së dhe kuadro të PDSh-së kapin vlerën e 28% të bllok-dodacioneve”- tha deputeti i BDI-së, Rexhail Xhemaili.
 
Bllok-dodacionet janë një e dymbëdhjeta pjesë e buxhetit, përkatësisht rreth 232 milionë euro, prej të cilave komunat shqiptare marrin rreth 28%.  
 
Përveç ndarjes së bllok-dodacioneve, janë paraparë edhe fonde për zhvillimin e infrastrukturës në vendbanimet me shumicë shqiptare. 
 
Sipas Xhemailit, me propozim-buxhetin për vitin 2015 parashihen fonde për ujësjellësin në Tetovë, stacionin e ujit në Gostivar, fonde për ujësjellësin në Likovë dhe atë në Zajaz.
 
Rreth tre milionë euro për sheshin “Skënderbe”, 120 milionë denarë për Teatrin Shqiptar në Shkup, 60 milionë denarë për Teatrin dhe Bibliotekën në Tetovë, fonde për UShT-në dhe zonat e lira ekonomike.
 
SHPËTIM NUREDINI