Botë

Xi Jinping, Kina nuk lejon ndërhyrjen e forcave të huaja

20.12.2019 12:25

Presidenti kinez, Xi Jinping, ka thënë se Kina...

Presidenti kinez, Xi Jinping, ka thënë se Kina nuk do të lejojë kurrë që forcat e huaja të ndërhyjnë në rajonet e saj të veçanta: Hong Kong dhe Makau, teksa në këtë të fundit është betuar qeveria e re pro-Pekinit.

Duke folur në një ceremoni për shënimin e 20-vjetorit të kthimit të rajonit Makau nën rregullin kinez, ai ka përshëndetur ish-koloninë portugeze për patriotizmin dhe besnikërinë që ka, mirëpo nuk ka përmendur protestat kundër qeverisë në ish-koloninë britanike, Hong Kong.

Pikërisht për këtë çështje, në Hong Kong është duke u protestuar për muaj të tërë, pasi banorët thonë se u janë cenuar të drejtat e tyre.

Pekini mohon të ketë cenuar autonominë e Hong Kongut dhe ka fajësuar vazhdimisht qeveritë e huaja, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë për nxitje të trazirave në Hong Kong.