“Mini-Shengeni”Ballkanik - Tiranë, takimi i liderëve dë të mbahet pa Kosovën
Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, sot dhe nesër do të zbarkojnë në Tiranë...

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, sot dhe nesër do të zbarkojnë në Tiranë, në takimin e tretë rajonal mes këtyre vendeve.
Në takim nuk do të jetë e pranishme Kosova. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka refuzuar ftesën e nikoqirit të këtij takimi.
“Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit të Kosovës. Në një situatë të tillë, thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnje - Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”,- ka thënë presidenti Thaçi.
Ky takim vjen pas dy takimeve të mëparshme të këtij niveli të zhvilluara në Novi Sad të Serbisë dhe në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ku morën pjesë liderë dhe përfaqësues të lartë shtetërorë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe përfaqësues të lartë të institucioneve europiane.
Për shkak të rrethanave të njëjta, Kosova e kishte refuzuar pjesëmarrjen edhe në dy takimet paraprake.
