Maqedoni
Lufta kundër korrupsionit, Ivanovska: Gjykata, rolin kryesor për ta çrrënjosë. Mihajlova: Problem gjyqësori, i ndikuar nga pushteti. Vetingu, Ivanovska: Vullnet politik, kompetenca të kufizuara
20.12.2019 16:05
Komisioni për Antikorrupsion nuk mohon faktin se shteti ballafaqohet me korrupsionin...

Komisioni për Antikorrupsion nuk mohon faktin se shteti ballafaqohet me korrupsionin, por thotë se ky organ është kompetent të ngre iniciativë për përgjegjësi dhe nuk ushtron veprimtari represive.
Sipas kryetares së Antikorrupsionit, Biljana Ivanovskës, lufta kundër korrupsionit është punë e ndërlidhur mes institucioneve, ndërsa bartëse e çrrënjosjes së këtij fenomeni janë gjykatat.
“Antikorrupsioni aq ka bërë, por çfarë kanë bërë të tjerët që të na ndryshohen kushtet? Asgjë të mos funksionojë në shtet, nëse kemi gjyqësor të mirë dikush në fund të sjellë aktvendim, do të fillonte funksionimi. Shihni çka bën me lëndët e PSP-së? Përse prolongohen lëndët? Përse me gjithë ato para, me gjithë ata hetues nxori aq shumë lëndë? Ku është efikasiteti i tyre?”,- tha kryetarja e Komisionit për Antikorrupsion, Biljana Ivanovska.
Edhe për ekspertët dhe ish anëtarët e Komisionit për Antikorrupsion fuqia për zbardhjen e korrupsionit qëndron në gjyqësor.
“Problemi kryesor qëndron në gjyqësor. Gjyqësia është nën ndikim të fuqishëm të pushtetit. Merrni parasysh ato lëndë që ne i vërtetuam. OKTA, ku ishin të përfshirë funksionarë të lartë, privatizime tjera dhe ja çka ndodhi. Mbaroi mandati i Komisionit, erdhi pushtet i ri, erdhi trup i ri i antikorrupsionit dhe lëndët u vjetërsuan.”,- tha ekspertja dhe ish anëtare e Antikorrupsionit, Vanja Mihajlova.
Kryetarja e Antikorrupsionit komentoi edhe çështjen e vetingut. Ajo tha se ky proces është vullnet politik, por sa i takon antikorrupsionit, me ligj janë të kufizuara kompetencat çka mund të bëjnë për vetingun.
“Ne ndjekim situatën, nëse dorëzojnë apo jo lista anketuese. Pjesa e dytë e vërtetimit është nëse të dhënat e listave anketuese janë të vërteta ose jo. Nëse këtu vërtetohet se ka rritje joproporcionale të pronës në raport me të ardhurat që ka nëpunësi zyrtar, shkojmë në hapin e radhës që është hulumtimi i gjendjes pronësore.”,- u shpreh kryetarja e Komisionit për Antikorrupsion, Biljana Ivanovska.
Këto komente u bënë në prezantimin e raportit të tremujorit të dytë të ndjekjes së punës së Antikorupsinoit nga “Transparencë” - Maqedoni dhe Instituti për të Drejtat e Njeriut.
Antikorrupsioni për këtë periudhë ka pranuar 157 ankesa për të cilat po ashtu janë formuar lëndët. Për 38 lëndë kanë sjellë vendim, ndërsa për pesë raste është ngritur iniciativë për përgjegjësi.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
