“TNT”, Janakievski: Nuk kam dhënë urdhër për prishje të “Kosmos”-it
Mes tensioneve të gjata dhe kërkesës së avokatëve mbrojtës....

Mes tensioneve të gjata dhe kërkesës së avokatëve mbrojtës të të akuzuarve për shtyrjen e seancës, gjykata vendosi që pas dy orësh pauzë të vazhdojë seancën për rastin “TNT” të PSP-së, ku dëshmoi ish ministri i transportit, Mile Jankievski.
Në pyetjen e avokatëve, Janakievski mohoi të ketë dhënë urdhër për prishje të objektit “Kosmos” për shkak të interesave të tij biznesore.
"Më i ofenduar kam qenë kur thanë që unë kam dashur të rrënoj “Kosmos”-in për shkak të interesave biznesore",- tha Janakievski, i cili shtoi se gjatë periudhës 2006/2007 madje ka pasur raporte edhe familjare me binznesmenin Canoski, i cili po ashtu ka qenë mbështetës i VMRO-DPMNE-së.
Ish ministri i transportit tregoi se gjatë periudhës prill 2010 - gusht 2011, biznesmeni Canoski ka pasur komunikime intensive me ish kryeministrin në azil, Nikolla Gruevski.
"Për katër vite Mile është figura e preferuar e PSP-së, PP-së, Policisë financiare... Gomari iku, ndërsa tani po i goditet samarit.”,- fjalë me të cilat iu referua ish kryeministrit, Nikolla Gruevski, i cili ka fituar azil politik në Hungari.
Para fillimit të seancës një grup qytetarësh që kishin ardhur para ndërtesës së Gjykatës Penale për t’i mbështetur të akuzuarit, nuk u lejuan të hyjnë në seancë. Në rastin “TNT”, që udhëhiqet nga gjykatësi, Ognen Stavrev, bëhet fjalë për rrënimin e kompleksit “Kosmos” të biznesmenit, Fiat Canoski, ndërsa të akuzuar janë ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, ish-kryetari i komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski, ndërsa Nikolla Gruevski gjykohet në mungesë. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
