Rritja e pensioneve, akuza të ndërsjella pushtet - opozitë
Pensioni mesatar nga janari i vitit të ardhshëm është parashikuar në 15.500 denarë....

Pensioni mesatar nga janari i vitit të ardhshëm është parashikuar në 15.500 denarë, ndërsa Qeveria në kuadër të buxhetit për 2020-n parashikon rritje prej 700 denarëve dhe harmonizim shtesë prej rreth 200 denarëve.
Kjo u bë e ditur në takimin joformal me pensionistët, ku kryeministri, Zoran Zaev, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska, prezantuan masat kushtuar qytetarëve më të moshuar.
“Pensionet për vitin 2020 do të rriten për 900 denarë ose nga korriku i vitit 2017 deri në fillim të vitit të ardhshëm kemi rritur pensionin mesatar për 1746 denarë dhe kjo është përparësia e reformave strukturore që i kemi ndërmarrë.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
“Kur për një vit kemi 15 për qind rritje të pagës minimale, pesë për qind rritje të pagës mesatare në atë moment do të kemi përshtatjen e tretë me parametrat ekonomik, prandaj edhe një rritje e tillë e pensioneve u realizua me sukses.”,- tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska.
“Me shfuqizimin e kuotave për ilaçet me recetë në tërë territorin e vendit u zgjodhëm problemin shumëvjeçar të pensionistëve. Për pensionistët mbi 64 vjeç siguruam vaksinim falas dhe në buxhetin e vitit 2002 kemi ndarë mjete për shërim spitalor të pensionistëve që marrim pensione nën mesataren.”,- u shpreh ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Rritja e paralajmëruar e pensioneve nuk do të ndikojë në Fondin e Pensioneve. Edhe pse Fondi ka vite që po përballet me mungesë prej më shumë se 300 milion eurosh për pensionet. Drejtori, Shaip Zendeli, siguron se Fondi është i qëndrueshëm për shkak të rritjes së kontributeve të pensionit dhe invaliditetit.
“Në afat të mesëm dhe të gjatë, nëse shkohet me këtë politikë, nuk besoj se do të kemi probleme shtesë. Shkalla e kontributeve nga 18 rritet në 18.4, plus vitin e ardhshëm 2020, kemi sërish rritje prej 0,4. Pastaj mund të ketë një pauzë, që mos të ketë goditje ndaj punëdhënësve, që pastaj të vazhdojmë sërish.”,- tha drejtori i Fondit Pensional, Shaip Zendeli.
Opozita ndërkohë tha se bëhet fjalë për manipulim parazgjedhor të pensionistëve.
“Zoran Zaev po gënjen përsëri pensionistët. Zaev u mori 1400 denarë pensionistëve dhe tani i gënjeu ata, me një rritje prej 0.4%. Po mos të ishte tragjike, do të ishte qesharake. Në kushte kur kostot e jetesës rriten shumë, pensionet kanë ngecur në vend. Deklarata se do të ketë një rritje të pensioneve, gjë që nuk është e mjaftueshme as për asnjë bukë, është ryshfet parazgjedhor dhe manipulim me qytetarët”,- thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së. (Flutura Latifi, TVM2)
