Formimi i qeverisë teknike, partitë taktizojnë me shpalljen e emrave

20.12.2019 17:55

Partitë politike vazhdojnë taktizimet për përbërjen e qeverisë teknike.....

Partitë politike vazhdojnë taktizimet për përbërjen e qeverisë teknike. LSDM, as në takimin e së enjtes nuk ka vendosur se kush do të zëvendësojë kryeministrin aktual, Zoran Zaev.

Ky i fundit paralajmëron se emrat do të publikohen javën tjetër, pas mbledhjes së Këshillit Qendror që do të mbahet të premten.  

“Duhet të na kuptoni, sepse këtu bëhet fjalë për një miks, përkatësisht për marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës që të formohet qeveria teknike. Nuk duam të nxitohemi me çfarë do lloj masash. Na duhet kohë që të mendojmë për një kryeministër në ato 100 ditë, që nga tre janari deri në zgjedhjen e qeverisë së re.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.

Njëri nga dy emrat më të përfolur për kryeministër teknik, përveç ministrit të brendshëm, Oliver Spasovskit, është edhe emri i ministres së punës dhe politikës sociale, Milla Carovska, e cila nuk deshi të komentojë nëse është e gatshme të marrë timonin e qeverisë. Gjithsesi pret që vendimin ta shpallë vetë kryeministri aktual, përkatësisht kryetari i LSDM-së.

“S’ka të bëjë me atë nëse dikush është i gatshëm ose jo. Këto diskutime zhvillohen në atje ku duhet të zhvillohen dhe kur kryeministri të ketë vendim ai do t’i kumtohet opinionit.”,- u shpreh ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska.

Njësoj si LSDM edhe VMRO-DPMNE, nuk ka publikuar emrat e ministrave dhe zëvendës ministrave për qeverinë teknike. Konsiderojnë se ende është herët për të përmendur emra, por nuk përjashtojnë mundësinë që ato të publikohen para Vitit të Ri. (Shpetim Nuredini, TVM2)